Friday, March 7, 2014

Digjet lokali i Lorik Canes në Tiranë

Kombëtarja Shqiptare - Mëngjesin e ditës së djeshme, në zonën e ish-Bllokut, pranë rrugës” Brigada e VIII”, lokali i futbollistit Lorik Cana është parë me xhama të thyer dhe vazot e luleve të copëtuara. Punonjësit e këtij ambienti teksa kanë shkuar në punë si zakonisht, nuk kanë gjetur pamjen e përhershme, por… diçka kishte ndodhur. Lokali tërhiqte vëmendjen e kalimtarëve, në hyrje të të cilit gjendej një grumbull i madh xhami në shkallët e tij.

 Sipas punonjësve të këtij ambienti mësuam se, një makinë kishte tentuar të futej në brendësi të lokalit. Sipas informacioneve tona, personi i cili drejtonte automjetin ishte në gjendje të dehur, ai ka humbur kontrollin e makinës dhe në këtë mënyrë ka thyer fasadën prej xhami të lokalit. Ish-Blloku është një nga zonat e “zgjuara” të Tiranës, aty ku edhe jeta e natës arrin kulmin e saj.

Lokali
Përveç futbollit, Loriku ka nisur të merret edhe me biznes. Ky dyqan verërash franceze në Tiranë është hapur dhe ka patur inaugurimin e tij në fund të vitit 2012. Ai është një pijetar i mirë i verërave, kështu që ka preferuar ta sjellë këtë pije origjinale franceze në zonën e ish- Bllokut. Ndërkohë, më herët kemi mësuar se ky është një vend i rrallë në kryeqytet, më saktë është një ambient për të shijuar pijen e verës, nuk funksionon si një vend më shumë tavolina, por maksimumi tre.
Që do të thotë, nuk është për klientelë të zakonshme, por për njerëz të cilët kërkojnë dhe janë të pasionuar pas verës. Në të gjenden më shumë se 76 lloje verash nga vende të ndryshme të botës, me çmime 800-19 mijë lekë shishja. Aksionari kryesor i lokalit është Agim Cana, i ati i Lorikut. Nëse do të pish diçka, e cila pa diskutim do të jetë verë franceze, duhet të prenotosh më parë dhe i gjithë lokali është i yti dhe i miqve të tu.

0 Komente:

Post a Comment