Pak kohë pas mundjes së osmanëve nga lidhja ballkanike, në dhjetor të vitit 1912 u thirr në Londër një konferencë ambasadorësh të Fuqive të Mëdha (Britanisë, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Italisë) për të vendosur mbi çështjet e ngritura nga lufta në Ballkan. Me mbështetjen e dhënë shqiptarëve nga Austro-Hungaria dhe Italia, konferenca ra në ujdi të krijohej një shtet i pavarur shqiptar. Por, në vendosjen e kufinjve të shtetit të ri, duke pasur trysni të forta nga fqinjët e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën gjërësisht realitetin demografik dhe u dorezuan serbëve Vilajetin e gjërë të Kosovës dhe në lindje pjesën më të madhe të Vilajetit të Manastirit, përfishi Shkupin, Ohrin, Manastirin, ndersa në jug, Greqisë iu dha pjesa më e madhe e Vilajetit të Janinës, përfshirë vetë qytetin e Janinës dhe gjithë Çamërinë, njohur ndryshe si Epiri i Jugut me qendër në Lumin Thíamis. Këto cungime te trevate shqiptare iu shtuan atyre të anksuara nga Mali i Zi te zonave të Ulqinit, Podgoricës, Kotorrit, Plavës dhe Gucisë.
Shumëkush dyshoi nëse shteti i ri do të ishte funksional me pothuajse dy të tretat e tokave dhe popullsisë shqiptare të lëna jashtë kufinjve të saj, duke qene se këto treva ishin nga më prodhimtaret në bujqësi dhe blegtori. Nga ana tjetër, një bashkësi e vogël rreth 30.000 fryme të deklaruar me kombësi greke u përfshi brenda kufinjve të Shqipërisë. (Megjithëkëtë, Greqia që numëronte të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks - rreth 20 përqind të popullsisë - si grekë, duke pretenduar se numri i popullsisë me kombësi greke ishte më i madh seç mendohej). Që atëherë, pakicat greke, çame dhe kosovare mbeten temat më shqetësuese në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke dhe Shqiptaro-Jugosllave.
Fuqitë e Mëdha i imponuan shtetit të ri shqiptar një princ gjerman, Wilhelm von Wied (Vilhelm Vid), si kusht për ekzistencën e tij. Vilhelmi Vidi mbërriti në Shqipëri në mars 1914. Mosnjohja e tij me Shqipërinë dhe problemet e saj si dhe mungesa e popullaritetit të tij ndër shqiptarë, përzier me ndërlikimet e ngritura nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, e detyruan atë të braktiste Shqiperinë vetëm gjashtë muaj më pas. Lufta që vijoi e zhyti vendin në një krizë të re ndërkaq që ushtritë e Austro-Hungarisë, Francës, Italisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë e zaptuan dhe pushtuan gati gjithë territorin e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar, i mbetur pa udhëheqje qendrore politike dhe ekonomike, për shkak të pushtimit të ri, e pllakosi vendin në kaos. Në Konferencën e Paqes së Parisit, 18 Janar 1919 - 21 Janar 1920 zhvilluar pas Luftës së Parë Botërore, shuarja e Shqipërisë u shmang kryesisht nga përpjekjet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson, i cili kundërshtoi planin e Britanisë, Francës dhe Italisë për ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj, dhe sidomos nga delegacioni shqiptar që insistoi me forcë në ruajtjen e shtetit shqiptar.
Një kongres kombëtar, u mbajt në Lushnjë më 28 Janar 1920, për të shpallur hapur konsolidimin e themeleve të shtetit shqiptar dhe për të hedhur bazat e qeverisë së re, akt ky nëpërmjet të cilit burrat e shtetit shqiptar e provuan veten të aftë për të qeverusur vendin në kundërshtim me pretendimet e fuqive të mëdha. Si rezultat i përpjekjeve të shquara të patriotëve të kombit, në dhjetor 1920 Shqipëria, këtë herë me mbështetjen e Britanisë, u pranua në Lidhjen e Kombeve, duke fituar kështu për herë të parë njohjen ndërkombëtare si shtet vetëvendosës.
0 Komente:
Post a Comment