Tuesday, May 20, 2014

Hasi: Titulli një emocion i jashtëzakonshëm!

Kombëtarja Shqiptare - Anderlehti i Besnik Hasit fitoi titullin e 33-të në histori, i pari për një trajner shqiptar, me një klub kaq të njohur në arenën ndërkombëtare. Kur e mori drejtimin e skuadrës para dy muajsh, drejtuesit e klubit, por dhe analistët e shumtë e shihnin të vështirë edhe pjesëmarrjen në Champions. Mirëpo, Besnik Hasi jo vetëm që solli qetësinë në ambientin e Anderlehtit, jo vetëm që arriti Champions-in, por u shpall dje zyrtarisht edhe kampion i Belgjikës
Hasi e mori drejtimin e skuadrës më 10 mars të këtij viti, pas shkarkimit të Xhon Van Der Bromit. Gjigandi belg renditej në atë kohë në vendin e 3-të në kampionat me plot 12 pikë më pak sesa kryesuesit. Mirëpo, javë pas jave, Hasi arriti të rikuperonte terren dhe dje, pas fitores 3-1 në javën e fundit ndaj Lokerenit (shënuan Mitroviç, Mbemba dhe Praet për vendësit, teksa golin e vetëm të mysafirëve e realizoi Harbaoui), i dhuroi Anderlehtit trofeun më të rëndësishëm dhe pse jo edhe më të bukurin për dekada të tëra, kjo më së shumti për mënyrën sesi u arrit. Pasi ka fituar tri herë si futbollist titullin kampion të Belgjikës me fanellën e kësaj skuadre, në 2000–‘01, 2003–‘04 dhe 2005–’06, si dhe ka fituar edhe tri herë po me këtë skuadër, po si futbollist, Superkupën e Belgjikës në 2000, 2001 dhe 2006, Besnik Hasi kurorëzohet si fitues edhe si trajner. “Është një emocion i jashtëzakonshëm! Një titull fantastik! Vetëm në fund të sezonit e kuptuam se ishim një skuadër, që vështirë se mund të na mundje. Fituam 7 ndeshje radhazi në ‘play-off’, duke shënuar 17 gola dhe pësuar vetëm 6. Më thoni ju nëse ky nuk është një rrugëtim i jashtëzakonshëm”, tha dje Hasi për mediat belge. Më pas ai, si një xhentëlmen i vërtetë, nuk harroi të falënderonte, madje t’ia dedikonte titullin edhe ish-trajnerit Xhon Van Der Brom, i cili u shkarkua në mars. “Nuk duhet assesi ta harrojmë ish-trajnerin dhe ky titull është edhe për atë. Një trajner nuk mund të bëjë më shumë sesa të stërvitë skuadrën dhe ta hedhë në fushë, më pas heronj janë vetë ata, futbollistët. Nuk them se kemi qenë skuadra më e mirë gjatë gjithë sezonit, por kemi qenë më rezultativët në mënyrë absolute në ‘play-off’. Do ta kujtojmë gjatë këtë titull pasi kemi luftuar shumë, të gjithë si skuadër. Një falënderim për të gjithë lojtarët, të cilët pas këtij kampionati jam i sigurt se kanë marrë një leksion të jashtëzakonshëm pjekurie”, përfundoi Hasi.
Ndërkohë, kujtojmë që Besnik Hasi ka firmosur rinovimin edhe për dy vite të tjera në krye të kësaj skuadre, duke u bërë për momentin shqiptari i parë që fiton një titull kampion me një skuadër kaq elitare sikundër Anderlehti.

0 Komente:

Post a Comment