Friday, May 17, 2013

Basha, Abrashi e Mehmeti në listën anti-Norvegji, pritet konfirmimi i FIFA-s


Kombëtarja Shqiptare - Burime konfidenciale pranë FSHF-së kanë bërë të ditur faktin se në listën e lojtarëve që Xhani de Biazi do të grumbulloj për mbrëmjen e 7 qershorit, janë shënuar tre emra të rinj.
Amir Abrashi, Vullnet Basha dhe Agon Mehmeti do të jenë pjesë e skuadrës kuqezi për takimin e radhës, ndeshjen më të rëndësishme të sezonit ndaj Norvegjisë. Tekniku italian mësohet të ketë kontaktuar me ta, të ketë marrë “Ok”-in e nevojshëm dhe tani pret përfundimin e procedurave që do t’i japin të tre futbollistëve pasaportën shqiptare e bashkë me të dhe mundësinë për të luajtur në kombëtare.
Të tre këta lojtarë janë blerjet e teknikut italian për takimin e radhës, ndeshje e cila do të përcaktojë faktin e Shqipërisë në fushatën eliminatore drejt ëndrrës “Brazil 2014”.
Të njëjtat burime që kanë bërë të ditur lajmin për faktin se të tre këta futbollistë do të grumbullohen, kanë treguar gjithashtu se pak ditë më parë, në selinë e Presidencës është dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm. Brenda pak ditësh, e sigurt është që Amir Abrashi, Vullnet Basha dhe Agon Mehmeti do të marrin pasaportën shqiptare. Procedurat kanë nisur dhe janë drejt fundit dhe përshpejtimi i tyre është bërë në mënyrë që tekniku italian t’i ketë të gatshëm për nevojat e tij këta tre futbollistë cilësorë.
Duke e ditur rëndësinë që ka ndeshja e 7 qershorit, Xhani de Biazi po përgatit listën e lojtarëve që do të grumbullojë me dëshirën për të patur sa më tepër alternativa të gatshëm për formacionin. Me afrimin e tre futbollistëve shqiptarë nga Kosova, tekniku italian do të shtojë konkurrencën brenda grupit dhe do t’i japë vetes luksin e të zgjedhurit. Abrashi dhe Vullnet Basha janë dy alternativa për mesfushën, ndërkohë që Agon Mehmeti është një mundësi më shumë për sulmin. Të tre këta futbollistë kanë të dhëna mjaft të mira, janë formuar dhe aktivizuar jashtë vendit në skuadra të huaja dhe kanë mundur gjithashtu të luajnë edhe për shpresat e Zvicrës, në rastin e Abrashit dhe Bashës, apo dhe të Suedisë, në rastin e Mehmetit.
Brenda pak ditësh do të përfundojnë procedurat për t’i pajisur me pasaporta dhe më pas të tre këta lojtarë do të marrin ftesën zyrtare nga FSHF, për t’iu bashkuar kuqezinjve në grumbullimin që do të nisë në datën 29 maj.

0 Komente:

Post a Comment