Gjithçka vjen falë një nisme të drejtorit sportiv të Lacios, ish-kapiten i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, dhe kapitenit aktual të kuqezinjve, Lorik Cana. Këta të fundit, si një homazh për “Qemal Stafa”-n në prishje e sipër kanë menduar këtë gjetje, e cila është provuar më parë edhe në stadiumet në Portugali si dhe në “Olimpiko” të Romës, para ndeshjeve të Lacios. Tare e ka parë shqiponjën në Portugali, ku nën dirigjimin e spanjollit Juan Bernabe bënte fluturimet në stadiume duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Nisur nga kjo, Tare kërkoi që ta bënte edhe te Lacio, duke bërë që presidenti i klubi, Lotito, të paguante një shumë të konsiderueshme për vetëm pak minuta spektakël. “Ideja lindi nga Igli Tare dy vite më parë. Ai u emocionua shumë kur e mbajti në dorë dhe tha se mbase një ditë mund ta çonte edhe në vendin e tij, sepse më tha se Shqipëria quhej ndryshe ‘Vendi i shqiponjave’. Më pas edhe Lorikut i pëlqeu shumë ideja dhe propozoi që shqiponja të sillej për ndeshjen kundër Zvicrës, meqenëse ishte e fundit e Kombëtares në këtë impiant. Zakonisht, këtë gjë e kam bërë në stadiume të mëdha. E lëshojmë shqiponjën, e cila fluturon rreth e përqark impiantit dhe më pas rikthehet. Ndërsa këtu në Tiranë do kemi pak problem, pasi stadiumi është i vogël dhe do duhet që ta lëshojmë nga jashtë stadiumit e ta presim brenda, ndaj edhe do bëjmë disa prova”, – ka thënë dje për “Supersport” Juan Bernabe.
Ky i fundit pat bërë disa matje në “Qemal Stafa” edhe para një muaji, kjo për të qenë 100 për qind i sigurt se fluturimi i shqiponjës do të përfundonte në mesin e fushës. Ndërkohë, për spektaklin e vërtetë duhet pritur e premtja…
0 Komente:
Post a Comment