Kombëtarja Shqiptare - Samir Ujkani ka treguar arsyen përse është larguar nga Kombëtarja shqiptare. Portieri i Palermos ka rrëfyer për eksperiencën si kuqezi dhe për momentin e vështirë që t’i thotë lamtumirë Shqipërisë. Ai i ka falënderuar të gjithë dhe ndihet krenar që do ta shkruajë historinë me përfaqësuesen e Kosovës. Shumëkush nuk e ka besuar që Samir Ujkani i ka thënë lamtumirë Kombëtares shqiptare dhe se do t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj Haitit, e cila do të luhet më 5 mars.
Por, portieri i Palermos në një intervistë për “Gazetën Express” në Kosovë, për herë të parë ka treguar arsyet përse është larguar nga Kombëtarja shqiptare dhe si ka vendosur që tani e tutje t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës. 25- vjeçari tregon se e ka pasur shumë të vështirë t’i thotë lamtumirë ekipit kuqezi. Por, Ujkani tregon se ka qenë “i detyruar” ta marrë këtë vendim dhe se nuk e ka bërë me dëshirë. “Vendimin për t’u larguar nga Kombëtarja shqiptare e di presidenti Armand Duka. Unë nuk jam kundër këtij vendimi dhe as kundër FSHF-së, por janë disa presona brenda ekipit që më kanë detyruar ta marr këtë vendim shumë të vështirë”, – ka deklaruar Ujkani. Portieri në vitin 2007 ishte bashkuar me ekipin U-21 të Shqipërisë, ndërsa pas një viti kishte debutuar edhe me Kombëtaren A, ku ka zhvilluar 18 ndeshje. Ai ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) që ia ka mundësuar ta realizojë ëndrrën të luajë me ekipin kuqezi. “Unë e kam refuzuar Belgjikën për Shqipërinë, sepse jam shqiptar. E falënderoj FSHF-në për mundësinë që më ka dhënë të luaj me Kombëtaren dhe të ndihem shqiptar”, – ka theksuar portieri i Palermos “Edhe një herë po e përsëris që nuk jam kundër Shqipërisë. Kush më njeh, e di që nuk kam pasur asnjëherë problem nëse kam mbetur në stolin rezervë apo në tribuna”, – ka shtuar ai.
Edhe se ka luajtur shumë ndeshje me ekipin kuqezi, Ujkani nuk mund të veçojë asnjë ndeshje. Ai thotë se të gjitha takimet kanë qenë si një ëndërr për të, dhe ka falënderuar tifozët për përkrahjen që i kanë dhënë Kombëtares në çdo ndeshje. “Të gjitha ndeshjet kanë qenë një ëndërr. Të luaj për popullin tim ka qenë diçka e madhe. Tifozët na kanë përkrahur në çdo ndeshje si brenda ashtu edhe jashtë vendi, dhe kjo ka qenë bukuria e eksperiencës sime. Unë mendoj se 80 për qind e suksesit të Shqipërisë u takon tifozëve, që vazhdimisht na kanë dhënë vullnet të luajmë”, – ka vijuar Ujkani.

0 Komente:
Post a Comment