Wednesday, February 19, 2014

Ujkani po, Sadiku jo

Kombëtarja Shqiptare - Menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, ka theksuar se Samir Ujkani ka zgjedhur Kosovën dhe nuk është ftuar nga Shqipëria për ndeshjen kundër Maltës. Bushi u shpreh se lojtarët tjerë kosovarë do të vazhdojnë të luajnë për ‘Kuqezinjtë’. Ish-futbollisti i njohur ka folur edhe për lojtarët e rinj nga Kosova që grumbullohen nga Shqipëria.

Menaxheri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Alban Bushi, është shprehur për ‘Sport Plus’, se portieri Samir Ujkani ka zgjedhur Kosovën. Për këtë arsye Ujkani nuk është ftuar fare ndaj Maltës dhe nuk do të ftohet më nga ‘kuqezinjtë’.
“Kam biseduar personalisht me Ujkanin dhe më ka thënë se ka zgjedhur Përfaqësuesen e Kosovës. Për këtë është normale që është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki për ndeshjen miqësore kundër Haitit”, ka thënë Bushi. Zgjedhja e ‘gardianit’ nga Vushtrria ka bërë që ai të mos ftohet nga ‘kuqezinjtë’ për takimin kundër Maltës. “Nuk e kemi ftuar, pasi ai dëshiron të luaj për Kosovën. Nuk besoj se do të grumbullohet në takimet e ardhshme, pasi ai ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne jemi pajtuar me zgjedhjen që ka bërë”, ka theksuar më tej menaxheri i kombëtares shqiptare.
Lojtarët tjerë nuk largohen
Ndërkohë, Bushi ka folur edhe për mbrojtësin Loret Sadiku, i cili flitet se është ftuar nga Kosova për ndeshjen miqësore kundër Haitit më 5 mars në Mitrovicë. “Përveç Ujkanit të gjithë lojtarët tjerë nga Kosova do të vazhdojnë të luajnë për Kombëtaren shqiptare. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion se dikush tjetër mund të largohet nga Kombëtarja. Kjo vlen edhe për Sadikun”, është shprehur Bushi.
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka thënë se do të vazhdojnë të grumbullojnë lojtarë kosovarë për grupmoshat e reja. “Ne do të respektojmë çdo vendim të lojtarëve. Do të vazhdojmë të grumbullojmë lojtarë të rinj nga Kosova siç kemi bërë deri më tani. Nuk frikësohemi se lojtarët mund të largohen. Është dëshira e tyre të qëndrojnë në Kombëtare shqiptare apo jo. Ne jemi gëzuar që Kosovës i janë lejuar ndeshjet miqësore”, përfundoi Alban Bushi.
Kosova më 5 mars do të luajë ndeshjen e parë miqësore zyrtare kundër Haitit, derisa Shqipëria do të përballet me Maltën.

0 Komente:

Post a Comment