Saturday, November 22, 2014

Berisha: Të qëndrojmë me këmbë ne tokë, ndeshja me Armeninë vendimtare

Kombëtarja Shqiptare - Etrit Berisha po vëren rritjen e Kombëtares shqiptare.
Po ndien edhe respektin e përfaqësueseve më të mëdha të botës. Por po ndien edhe euforinë në mesin e bashkëlojtarëve. Ai ka ftuar ata që të qëndrojnë me “këmbë në tokë”, pasi rruga për kualifikim në “Euro 2016″ është e gjatë dhe e mundimshme. 25-vjeçari të mërkurën, në intervistën dhënë gazetës kosovare “Koha Ditore”, ka thënë se Shqipëria është ngritur dukshëm në vitet e fundit. Ngritja thotë se është meritë e punës që po bën trajneri Xhani De Biazi.
Sipas tij, Shqipëria më nuk është autsajdere, por një konkurrente e denjë edhe për skuadrat më të mëdha të botës. Shqipëria u mposht të martën mbrëma nga Italia (1-0) në një miqësore të luajtur në Xhenova me autogolin e Hamdi Salihit (82′) dhe me këtë i dha fund një serie impresive pa humbje në fushë. Berisha me gjithë golin e pësuar shkëlqeu në shumë raste përballë lojtarëve italianë. “Nuk mund të flas për fundin e eliminatoreve, por normale që në mendjen tonë është kualifikimi. Ne besojmë në këtë rrugë, por ndeshja kundër Armenisë do të jetë vendimtare për ne. Synimi ynë është të arrijmë në pozitën e parë apo të dytë në fund.
Me këtë përkushtim dhe punë mendoj se mund të arrijmë në fund të bëjmë diçka pozitive”, ka thënë Berisha. “Së fundi kemi luajtur ndeshje kundër dy ekipeve ndër më të mirat në botë. Ishin dy lojë të forta dhe të vështira. Paraqitja jonë ishte pozitive dhe na jep motiv për ndeshjet e ardhshme. Kemi fituar përvojë të madhe nga këto dy ndeshje. Tash jemi të fokusuar për ndeshjen e ardhshme që është si finale për ne, atë kundër Armenisë më 29 mars 2015″.
Berisha po vlerësohet një nga pikat kyç të Kombëtares së Shqipërisë. Prezenca e tij mes shtyllave ka sjellë stabilitet në ekipin kuqezi. Portieri nga Prishtina për Shqipërinë ka zhvilluar 23 paraqitje. Por ndeshjet e fundit janë më të mirat për të. Shqipëria nisi me fitore eliminatoret për “Euro 2016″, pasi mposhti në transfertë Portugalinë 1:0. Rezultat pozitiv u vlerësua edhe barazimi kundër Danimarkës në Elbasan (1:1). Paraqitje të mirë bëri edhe për aq sa u luajt (42 minuta) në Beograd kundër Serbisë. Këtë ndeshje Shqipëria e humbi me rezultat zyrtar 3:0. Pas kësaj erdhën dy miqësoret: barazimi me Francën 1:1 dhe humbja nga Italia 1:0.
“Kemi luajtur disa ndeshje të rëndësishme, ku kemi marrë rezultate pozitive që na sigurojnë një rrugë të mbarë në kualifikim. Megjithatë kemi edhe shumë ndeshje, por jam i kënaqur me atë cilësi që kemi treguar deri më tash. Unë mundohem të jap maksimumin tim, ashtu si edhe lojtarët e tjerë. Do të mundohem ta ndihmoj Shqipërinë në çdo ndeshje”, ka theksuar Berisha. Ai ngul këmbë se Shqipëria më nuk është larg ekipeve europiane, siç ka qenë në të kaluarën. “E kemi arritur këtë nivel si grup së bashku me trajnerin De Biazi. Ai na ka dhënë motiv shtesë dhe kërkon nga ne gjithmonë të nxjerrim maksimumin. Tani të gjithë e kemi kuptuar se nuk jemi larg futbollit europian. Rezultatet e fundit na kanë ndihmuar shumë të vazhdojmë rrugëtimin”, ka theksuar Berisha.

0 Komente:

Post a Comment