Monday, November 17, 2014

De Biazi, ndeshja me Italinë? Unë jam Shqiptar!

Kombëtarja Shqiptare - Ndeshja me Italinë do të jetë e veçantë për Gianni De Biasin, që brenda dy vjet e gjysmë pune me përfaqësuesen, jo vetëm i ka ndryshuar fytyrë kuqezinjve por gjithashtu arriti dhe me mbështetjen e FSHF, të sigurojë një miqësore, me Italinë duke bërë realitet “ëndrrën” e shqiptarëve për të luajtur me fqinjët përtej Adriatikut në futboll.
Vetëm se De Biasi këtë herë nuk do të qëndrojë në stol si një italian, por si një shqiptar, siç e pranon dhe vetë ai. transmeton Supersport.
“Tashmë është zyrtare, do të luhet në Gjenovë, vetëm në rast se nuk ka ndonjë ndryshim të minutës së fundit. E rëndësishme tanimë është që do të arrijmë të luajmë për herë të parë me Italinë, një gjë që ju ma kishit kërkuar që në fillim. Tani gjithçka është gati, madje dhe unë do të luaj, pasi jam shqiptar”.
Por a mund të konsiderohet kjo një ndeshje miqësore, për Shqipërinë apo diçka më tepër?
“Nuk është thjesht një ndeshje miqësore, pasi miqësoret nuk ekzistojnë. Dakort që nuk luhet për pikë,  por luhet për prestigj dhe luhet gjithashtu për vazhdimësinë tonë. Ne do të synojmë dhe në këtë ndeshje që ekipi të arrijë ekuilibrat e duhur dhe unë nuk do të ndryshojë shumë krahasuar me ndeshjen e Rennes”.
Për De Biasin, përballja me Francën ishte padyshim ndeshja më e mirë e kombëtares që ai ka marrë drejtimin e kuqezinjve.
“Me Francën luajtëm mirë, ndoshta ishte ndeshja më e mirë që kur drejtoj kombëtaren. Në të gjitha aspektet, si nga mënyra sesi u pozicionuam në fushë e deri te përballimi i një kundërshtari të madh. Më vjen pak keq që nuk fituam, por në momentin e golit kaluam me tre mbrojtës qendre e Hysën e Agollit të hapur nga krahët, sepse parashikova lëvizjen që do të bënte Deschamp duke hedhur në fushë dy sulmues, njëri nga të cilët shumë i aftë nga krahët dhe mendova se me tre mbrojtës në qendër do të ishim më të mbuluar. Por gabuam, gabuam sepse në futboll dhe ndodh që të gabosh, janë gabime individuale që gjithsesi qëndrojnë gjatë një ndeshje por në aspektin taktik besoj se ishte zgjedhja më e mirë e mundshme”.
Por si e sheh De Biasi rritjen e përfaqësueses që ai drejton në këto dy vjet e gjysmë dhe si e priti deklaratën e Deschamp se Shqipëria nuk është më një kombëtare e vogël.
“Besoj se kombëtarja tashmë është stabilizuar. Sigurisht në bazë të asaj që mund të ndodhë gjatë një sezoni, përfshi dhe dëmtimet duhet të kemi 25 futbollistë në dispozicion dhe këta 25 futbollistë unë besoj se tashmë i kam me vete. Sa i përket deklaratës së Deschamp, unë mendoj se ne gjithsesi jemi një skuadër e vogël, por kjo s’do të thotë se vetëm të mëdhatë duhet të fitojnë. Ne na nevojitet të përmirësohemi dhe besoj se në këto dy vjet e gjysmë jemi përmirësuara shumë. Gjithsesi duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të mos mendojmë se kemi arritur maksimumin dhe të vlerësojmë çdo ndeshje ashtu siç duhet, duke pasur mentalitetin e duhur. Në fakt të gjithë duhet të punojmë në lidhje me mentalitetin, dhe i gjithë ambienti që na rrethon duhet të na ndihmojë në këtë aspekt”.
Në fund dhe batuta e zakonshme e De Biasit, këtë herë lidhur me këndimin e himnit italian ose jo, në momentin e ekzekutimit të tij.
“Këndova dhe himnin francez  dhe na solli mbarësi, kështu që do të këndojë dhe himnin italian”.


PROMO E NDESHJES

0 Komente:

Post a Comment