Sunday, April 7, 2013

De Biasi: Ngrita Shqipërinë në një vit, si zbulova Etritin, dhe pse nuk vjen Besart Berisha

asport.info
Prilli i thyer” titullohet një nga librat e shkrimtarit më të madh shqiptar ende në jetë, Ismail Kadare.
Ndërkohë, një prill të shkëlqyer po jeton nga ana tjetër Kombëtarja shqiptare, sidomos që nga momenti kur në krye të saj ka shkuar tekniku italian, Xhani de Biazi”. Kështu e nis shkrimin e përditshmja italiane “Avvenire”, teksa thur elozhe pa fund për kuqezinjtë dhe më së shumti për teknikun e tyre. Nëse tri ditë më parë një tjetër media, ajo e Ferraras (De Biazi ka punuar si trajner para disa vitesh te Spal), e lidhte përshkrimin e kuqezinjve – natyrisht duke intervistuar De Biazin – më së shumti me ëndrrën “Brazil 2014″, “avvenire.it” i kushton më shumë vëmendje jetës së përditshme në Shqipëri, lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatin italian, si dhe të ardhmes së afërt të ekipit tonë përfaqësues, kjo natyrisht në kontekstin: Xhani De Biazi, transmeton Panorama.
Starti kuqezi - Zanati i trajnerit është tjetër gjë, sidomos kur je në krye të një skuadre që nuk është kualifikuar asnjëherë në një Europian apo Botëror. “Përvesha mëngët dhe e kuptova mirë që para se të bëja trajnerin duhej të vija në punë shpirtin e artizanit. Për shembull? Kërkova një arkiv të dhënash për të gjithë lojtarët shqiptarë që luanin jashtë vendit, dhe… po e pres akoma. Kështu që bashkë me stafin tim u zhytëm në internet sa gjatë e gjerë dhe na doli që te Kalmari në Suedi, në një fshat të humbur peshkatarësh, luante Etrit Berisha, portier i datëlindjes 1989, për të cilin do dëgjoni shumë shpejt edhe në Itali. Dhe natyrisht, jo vetëm se ka të njëjtin mbiemër si kryeministri. Në Shqipëri ai mbiemër është njëlloj si Rosi në Itali. Kam në fakt edhe një tjetër Berishë (qesh), Besarti, një sulmues i mirë, 27 vjeç, që luan në Australi, por fatkeqësisht për momentin nuk mund ta grumbulloj, sepse më pas do duhet që ta lë në pankinë, duke pasur parasysh udhëtimin e gjatë që duhet të bëjë”. 
Lojtarët shqiptarë -
 Me këtë logjikë s’do ishte normale që të grumbullohej edhe Hamdi Salihi, autori i golit me Norvegjinë, pasi luan me Jiangsu Sainti në Kinë. “Në fakt, si shpërblim pas ndeshjes në Oslo i kurseva miqësoren me Lituaninë”. Tjetër fitore, 4-1: me gola të Migjen Bashës, mesfushor i Torinos, si dhe Edgar Çanit të Katanias, këta dy nga gjashtë shqiptarët që luajnë në Itali: Elseid Hysaj – Empoli, Lorik Cana – Lacio, Samir Ujkani – Kievo dhe bomberi i Sienës, Erjon Bogdani. “Janë më të mirët që kam, por shumë prej tyre në klubet e tyre luajnë pak. Të vetmit që më kanë mbetur dhe luajnë në skuadra të nivelit të dytë, por dëshira për të bërë më të mirën më bën të shpresoj për të ardhmen dhe të mos pendohem që lashë Italinë”. Dhe të mendosh se pak më shumë se 10 vjet më parë (kur trajner i Shqipërisë ishte Bepe Dosena), De Biazi mori çmimin e dytë si trajneri më i mirë i Serisë A, pas Fabio Kapelos. Ishin vitet e lavdishme te Modena, kur luante edhe një si ai Paolo Ponzo (u nda nga jetë pak ditë më parë). “Më mungon shumë Paolo… Një shembull përulësie, një burrë i vërtetë, të cilin nuk e gjeta kurrkund tjetër”.
Nga Baxhio te Torino - Pas Modenës vjen Breshia. “Kisha Roberto Baxhion, futbollisti më i madh që kam drejtuar dhe stërvitur”. Më pas tri vite, 2005-2008, me shumë vajtje-ardhje (në mes një eksperiencë në Spanjë te Levante), për të mbërritur sërish te Torinoja e Urbano Kairos. “Fatkeqësisht e takova Kairon në një periudhë kur edhe ai vetë nuk ishte në një moment të mirë të menaxhimit të klubit. Sot për shembull do ishte krejt ndryshe. Torino më ka mbetur në zemër dhe një derbi ndaj Juventusit të Kontes do ta luaja me shumë kënaqësi”. Po a ka mbetur sadopak nostalgji për Italinë? “Aspak. Derisa të mendohet që në momentin kur skuadra nuk merr rezultate, faji është i trajnerit dhe vetëm ai duhet të paguajë për të gjithë, atëherë do të thotë që ky sistem duke rithemeluar nga fillimi”.
Rinovimi i Shqipërisë - Rinovimi i Kombëtares shqiptare për të shkon si mos më mirë. “Duhet të punoj akoma mbi mentalitetin. Kufiri i tyre (shqiptarëve) është dembelizmi dhe rrallëherë marrin iniciativa personale. Në të njëjtën kohë kam një pasuri në dispozicion, entuziazmin e jashtëzakonshëm që të kujtoj atë të Italisë së viteve `60- të. Njerëzit, tifozët, kanë një besim të verbër në atë çka po bëjmë dhe arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh, përtej rezultateve dhe rritjes së menjëhershme të skuadrës”. Shqipëria që duam, ajo që më në fund fiton, mori me vete në të largëtin Oslo, plot 4 mijë tifozë. “Por ishin thuajse që të gjithë emigrantë. Ndërsa në Zvicër dhe Gjermani luajmë sikur të jemi në shtëpi, pasi stadiumi është gati gjysma me shqiptarë. Publiku na ndihmon shumë dhe beson aq sa edhe ne, që kualifikimi në Botëror nuk është utopi”. Maksimumi për De Biazin do ishte mbërritja në Rio (Brazil) dhe më pas sfida ndaj Italisë së Prandelit. “Është trajneri më i mirë i mundshëm për një vend me 60 milionë banorë… Cilin do t’i vidhja Çezares? Balotelin, De Rosin e Pirlon. Me këta të tre, Shqipëria do ishte vërtet lart”, përfundon tregimin e tij për Shqipërinë De Biazi në median italiane.

0 Komente:

Post a Comment