Friday, April 19, 2013

FSHF-ja acaron trajnerët kosovarë për talentet

Jo më larg se të dielën, trajnerët e përfaqësueseve të reja të Kosovës në futboll, bashkë me përzgjedhësin Albert Bunjaki dhe shumë trajnerë të klubeve, ishin mbledhur për të diskutuar, siç thanë ata, “grabitjen e talenteve kosovarë” nga Federata Shqiptare e Futbollit. Me këtë rast, ata i bënë thirrje Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës të hapë këtë çështje me Tiranën.
Por, të martën, ky grup i trajnerëve ka marrë goditjen e radhës. Zyrtarë të FSHFsë kanë mbajtur një tjetër grumbullim në Kosovë, në stadiumin e Prishtinës, këtë herë për të kërkuar talente për ekipin U-15 të Shqipërisë. Ekipet e grupmoshave të reja të Kosovës, tash e disa muaj e kanë të lejuar nga FIFA të luajnë miqësore ndërkombëtare, por për Kosovën më të mëdha janë problemet e brendshme, tani për tani. Trajneri i ekipit “A” të Kosovës, Albert Bunjaki, thotë se mbajtja e kampit në Kosovë vërteton se nuk ka koordinim FFK – FSHF.
 

“Po vërtetohet ajo që kam thënë edhe më herët, se nuk ka kurrfarë koordinimi. Duhet të jenë të koordinuara gjërat, por le të jetë në ndërgjegjen e atyre. Nesër mund të vijë Maqedonia, Mali i Zi e të mbajnë kampe pa na lajmëruar. Unë personalisht dhe trajnerët e grupmoshave nuk jemi lajmëruar për këtë kamp. Nuk kemi kurrfarë informate dhe nuk është e mirë”, është shprehur Bunjaki të martën për “Kohën Ditore”. “Për shembull, ne nuk kemi interesa e as nuk do të mbajmë kamp në Shqipëri”. Në fakt, FSHF-ja në vitet e fundit ka mbledhur shumë talente në Kosovë për grupmoshat e reja, qoftë përmes kampeve që ka organizuar pa marrë leje nga FFK-ja, qoftë përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me futbollistët. Shumica e atyre ishin lojtarë të Kosovës. /panorama plus

0 Komente:

Post a Comment