Monday, June 2, 2014

Cikalleshi: Realizova ëndrrën time duke luajtur për kuqezinjtë

Kombëtarja Shqiptare - Luajti ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi dhe fitoi menjëherë besimin e trajnerit Xhani De Biazi. Elozhet për Sokol Cikalleshin nuk munguan as nga kapiteni Lorik Cana. Sulmuesi kavajas e nisi si titullar në miqësoren ndaj Rumanisë, ndërsa u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë. “Ishte si një ëndërr. Kur mësova që do të isha në formacion, nuk më besohej”, – ka thënë 23-vjeçari gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Dje, pak minuta pas mbërritjes së Kombëtares shqiptare në Hungari, Cikalleshi rrëfeu gjithçka për gazetën. Ndër të tjera, ai konfirmoi edhe ofertën e klubit kroat, RNK Split, teksa pranoi se e josh më tepër në krahasim me kërkesat e skuadrave të tjera.Sokol, debutuat me fanellën kuqezi ndaj Rumanisë. Si është të luash për herë të parë në Kombëtaren shqiptare?
Për mua ishte si një ëndërr debutimi me fanellën kuqezi. Më besoni, por kur mora vesh që do të luaja titullar në ndeshjen time të parë me Kombëtaren, m’u duk gati e pabesueshme. Kur trajneri përmendi emrin tim, u emocionova. Është kënaqësi e madhe, sepse përfaqëson kombin tënd dhe përgjegjësitë shtohen. Shpresoj të kem justifikuar besimin e trajnerit për ato minuta sa luajta. U mundova të jepja më të mirën time, por më vjen keq që humbëm.
Cilat ishin përshtypjet e para që në momentin kur u grumbulluat me skuadrën?
Sinqerisht ishte një ndjesi e veçantë. Unë kam qenë pjesë e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave, por përfaqësuesja A është diçka tjetër. Është një emocion që çdokush do të dëshironte ta provonte. Unë u ndjeva shumë mirë që në ditën e parë dhe përshtypjet ishin të mira për ambientin dhe shokët e ekipit.
Cili ka qenë njeriu më i afërt juaji në këto pesë ditë pranë Kombëtares?
Në dhomë jam me Kapllanin, me të cilin formova dyshen e sulmit në ndeshjen ndaj Rumanisë. Edmondi është së pari një njeri shumë i mirë dhe gjithashtu një futbollist i shkëlqyer. Personalisht më shumë shoqëri kam me Andi Lilën, me të cilin jam mik prej kohësh.
Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje te trajneri De Biazi?
Më ka ndihmuar shumë me fjalët e mira dhe kurajën që më ka dhënë këto ditë gjatë stërvitjeve. Ai është një trajner profesionist dhe motivues i madh, jo vetëm për mua, por për gjithë lojtarët.
Pas ndeshjes, kapiteni Cana ju vlerësoi, madje theksoi se ishit shumë i fortë fizikisht. Keni folur me të?Tani po e mësoj këtë që ka thënë Loriku për mua. E falënderoj për vlerësimin. Sigurisht që kam biseduar me të gjatë stërvitjeve, po ashtu edhe në vendin ku jemi akomoduar. Më ka këshilluar që të vazhdoj stërvitjen me këto ritme për të arritur sa më lart.
Cili lojtar është frymëzuesi juaj në Kombëtaren shqiptare?
Kombëtarja jonë ka pasur sulmues të shkëlqyer në të kaluarën dhe personalisht më frymëzojnë emra si Bogdani, Bushi dhe Rraklli. Gjithsesi, unë dua të jem vetvetja dhe të eci përpara, duke përmirësuar cilësitë dhe arritur suksese në karrierën time.
A i druhesh konkurrencës që ekziston në repartin e sulmit kuqezi?Nuk mund të them se i druhem, pasi konkurrenca i bën mirë çdo futbollisti. Detyra ime është të jap gjithçka, pastaj nëse luaj ose jo, e vendos trajneri. Unë jam i prirur të respektoj çdo vendim të De Biazit.
Në Kroaci e bëjnë fakt të kryer transferimin tuaj te RNK Split, si është e vërteta?E vërteta është që kam marrë një ofertë nga klubi kroat, por njëkohësisht po shqyrtoj edhe mundësitë e tjera që kam. Së shpejti do të merret vesh se ku do të luaj.
Cila skuadër ju josh më shumë?
Më shumë më josh skuadra e Splitit, por asgjëje nuk i dihet derisa të vendos përfundimisht.
Mund të na zbuloni ekipet e tjera që ju kërkojnë?
Në këtë periudhë kam pasur disa kërkesa nga klube austriake dhe hungareze. Nuk mendoj se është etike të përmend emra.

0 Komente:

Post a Comment