Qeveria shqiptare: Me heqjen e monumentit Beogradi dëshmon Albanofobinë :

"Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Milosheviqit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milosheviqit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit", thuhet ne reagimin e Qeverise se Shqipërisë.
Sipas qeverisë shqiptare, me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t'i zbatojë.
“Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut. Qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij", thuhet me tej ne reagim.
Jahjaga dhe Krasniqi denojnë heqjen e lapidarit

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës vlerësohet se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale.
Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës bën thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme, thuhet në komunikatë
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke dënuar heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, vlerëson se ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosevicit.
"Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejteve ndërmjet kombeve", thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit.
“Rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve, shton më tej Krasniqi, nuk përkon me vlerat universale të kohëve moderne, si: liria, paqja, demokracia dhe bashkëpunimi”.
Pas situatës së krijuar, kryetari Krasniqi bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato.
Qeveria e Kosovës: Veprimi jocivilizues i Serbisë nuk e ndryshon historinë

"Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Miloseviqit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët", thuhet ne reagimin e Qeverise se Kosovës.
"Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë", thuhet në reagimin e Qeverisë.
Liderët shqiptar të befasuar, situatë e qetë në Preshevë

"Në një farë mënyre jemi befasuar që sot do të hiqet lapidari, pasi kemi pritur që sot të marrim vendim përfundimtar rreth gjithë kësaj, kemi qenë në rrugë që të marrim vendim përfundimtar me qëndrime më të buta" ka thënë Zulfiu.
Në pyetjen se pas largimit të përmendores a do të shkaktohet krizë insitucionale në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit, ai ka thënë se një qëndrim i tillë më vonë do të shqyrtohet.
"Mbetet të shihet, është obligim i institucioneve lokale që të shqyrtojnë aktivitetin e mëtutjeshëm" ka thënë Zulfiu.
Siç raporton presheva.com, në qendër të Preshevës në mënyrë spontante janë mbledhur disa qytetarë dhe mbretëron situatë e qetë.
Hasani: Lidershipi shqiptarë në Preshevë, matrapaz politik
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka kritikuar ashpër liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët sipas tij, nuk arritën të mbrojë atë që e kishin vendosur vetë.
Me largimin e lapidarit nga xhandarmeria serbe, duhet të vetëdorëhiqet edhe lidershipi i shqiptarëve të asaj pjese, të cilët sipas tij janë matrapaz politik që kanë luajtur me ndjenjat e shqiptarëve.
“Këtu papërgjegjshmëria është e Institucioneve politike ne Preshevë, Medvexhë dhe Bujanovc të cilët kanë marr vendime te pa matura politike kur e kane vendos dhe tash kur kane pranuar të hiqet lapidari. Këta njerëz politik duhet të japin dorëheqje sepse e kane fut popullin ne thurje shpirtërore dhe kane ule dinjitetin e shqiptarit. Këta duhet te kërkojnë falje fillimisht, pastaj këta politikane janë matrapaz politik qe kane luajtur me ndjenjat e qytetareve te Kosovës dhe të Shqiptareve në përgjithësi dhe këta janë ata që kane tregu se janë mashtrues dhe njerëz pa vlera si një leckë politike”, tha Hasani për Indeksonline.
Hasani, kërkon që në vendin e përmendores të vendosen lulet dhe të bëhet roje nderi pas dorëheqjes së këtyre politikanëve të pa paërgjegjshëm.
“Prandaj këta duhet te japin llogari dhe përgjegjësi politike e morale para popullit”, shtoi Hasani.
Ndryshe lidershipi i Luginës në vazhdimësi ka dhënë deklarata se lapidari nuk do të hiqet, madje për këtë është mbajtur edhe një kuvend ku është legalizuar përmendorja. Lapidari i dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së u vendos në nëntor të vitit të kaluar me rastin e festës së 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Majko: Rivrasja e atyre që u vranë në kohën e Milosevicit

Ai shprehet se Serbia ka hequr me xhandarë, mëngjesin e sotëm përmendoren e dëshmorëve të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve, nga qendra e Preshevës.
“Ky akt kërkon t’i rivrasë ata që u vranë nga regjimi i Milosevicit. Vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen e ndarjes së ish-Jugosllavisë. Hoqën një “copë gur” , por ringritën historinë që shkruajtën ata djem që dhanë jetën për popullin e tyre. Kush mund të vendosë një tufë me lule tek vendi i lapidarit të hequr do ti isha mirënjohës. Lavdi dëshmorëve të kombit! Ata ishin edhe dëshmorët e mi!”, ka shkruar Majko në Facebook.
0 Komente:
Post a Comment