Wednesday, May 22, 2013

De Biazi nis stërvitjen sot, me lojtarë vendor

Kombëtarja Shqiptare - Xhani De Biazi ndërron mendje dhe nis grumbullimin që më 22 maj.
Kështu, 16 ditë para ndeshjes me norvegjezët, trajneri i kuqezinjve ka lënë Italinë dhe do të nisë sot punën për ndeshjen me norvegjezët.
Në “Tropikal” do të jenë pesë lojtarë që do të nisin punën me italianin dhe stafin e Kombëtares. Grupi i përfaqësueses nga dita në ditë do të shtohet derisa skuadra të jetë e plotë më 29 maj. Gjithsesi e sotmja nuk mund të quhet stërvitje e plotë. Do të jenë disa seanca individuale me lojtarë të veçantë që luajnë në kampionatin shqiptar.
Edhe pse do të jetë grumbullim i ekipit kombëtar, emrat janë mbajtur sekret për momentin, derisa të shihen sot nga të gjithë në fushën stërvitore. Gjithsesi, të grumbulluar në pesëshen do të jenë Tefik Osmani,
Renato Arapi dhe Sabien Lilaj e Orges Shehi. Të gjithë këta lojtarë janë grumbulluar për sfidën e 7 qershorit me Norvegjinë. Grumbullimi zyrtar – Më 29 maj pritet të nisë grumbullimi zyrtar i ekipit tonë pëfaqësues.
Zyrtarisht, kjo do të jetë dita që e gjithë skuadra do të jetë bashkë për të nisur përgatitjet për sfidën e shumëpritur të qershorit. Të gjithë legjionarët do të jenë në Durrës për të nisur grumbullimin. Përjashtim bëjnë vetëm disa futbollistë të cilët kanë ende ndeshje me kampionatet e tyre, duke filluar nga Emiliono Vila, Ergys Kaçe, por edhe lojtarët që luajnë në Ukrainë, Çeki, Bullgari dhe Spanjë. Të gjithë lojtarët e përfshirë në këto kampionate do të vijnë të fundit në ekipin përfaqësues.
Kujtojmë që Shqipëria do të  luajë më 7 qershor në Tiranë  takimin e kthimit me Norvegjinë në Grupin E eliminator për Botërorin e 2014-ës në Brazil.

0 Komente:

Post a Comment