Bogdani i ka bërë një analizë edhe barazimit ndaj vikingëve, ndërsa ka folur gjithashtu për të ardhmen e përfaqësueses, shanset për kualifikim, lojtarët e rinj që janë afruar, si dhe planet që ka për karrierën e tij në klube. “Fakti që do të luajmë tri ndeshje jashtë fushe nga katër që kanë mbetur, më bën të jem jo shumë optimist për ëndrrën tonë”, është shprehur ai, që më pas kthehet te ndeshja me Norvegjinë ku qëndrroi gjatë në stol. “Sigurisht, çdo lojtar që nuk luan ndihet i zhgënjyer. Megjithatë, nuk ka asnjë problem. Unë jam profesionist dhe e kuptoj që në radhë të parë vendoset Kombëtarja, pastaj individi. Të gjithë futbollistët që kanë ardhur në përfaqësuese dëshirojnë të luajnë, por e rëndësishme është që të bëhet më e mira për përfaqësuesen. Ekipi do rezultatin dhe barazimi që morëm mendoj se ishte i mirë, kështu që duhet të shikojmë përpara. Nga ana tjetër, është trajneri De Biazi që e bën përzgjedhjen e lojtarëve dhe në këtë rast duhet pyetur ai se pse unë nuk u aktivizova?- shprehet Bogu, që më tej nënvizon ndjesitë e tij si spektaktor. “Nuk diskutohet që dëshira ime ishte që të futesha në fushë dhe të bëja më të mirën time. Në karrierën time jam treguar modest me të gjithë, prandaj jam ky që jam. Statistikat e mia dihen dhe jam i ndërgjegjshëm se sa mund të jap për Kombëtaren, qoftë duke luajtur si titullar apo duke luajtur edhe në 5 minutat e fundit. E rëndësishme është që unë kam qenë gjithmonë gati për Kombëtaren dhe të gjithë e dinë se cilat janë vlerat e mia si futbollist. Në gjithë këto vite karrierë, edhe kur nuk kam luajtur, asnjëherë nuk kam bërë polemika. Nuk ka të bëjë fare këtu mosha ime, jam ende futbollist dhe mund të jap akoma për Shqipërinë. Paragjykimet e moshës nuk duhet të ekzistojnë sot në futboll, pasi përderisa jam këtu, normalisht vij të ndihmoj skuadrën”.
Sulmuesi 37 vjeçar më pas është ndalur te një analizë më teknike, duke folur për shkaqet se përse kuqezinjtë nuk arritën të ruajnë avantazhin e krijuar. “Së pari, më duhet të them se ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse duke filluar nga ju gazetarët dhe veçanërisht tifozët, prisnin fitore. Mirëpo, nuk është e thënë që, meqë fituam në Norvegji, nuk duhej diskutuar trepikëshi edhe në Shqipëri. Pas shënimit të golit, mendoj se ne si skuadër duhet ta qarkullonim më mirë topin. Këtë nuk e bëmë dhe kundërshtari fitoi terren në pjesën e dytë. Nëse e menaxhonim më mirë situatën, atëherë do të shënonim sërish, pasi Norvegjia do të hapej dhe ne do të përdornim kundërsulmin. Ata nuk kishin çfarë humbnin, pasi e shikonin si shansin e fundit takimin në Tiranë. Po të shikoje lojën e tyre, më shumë përdornin topat e gjatë për të shfrytëzuar shtatëlartësinë. Ata ishin në një gjendje fizike më të mirë se ne dhe lojën e bazonin te kornet apo goditjet standard- shpjegon ai- Nuk duhet ta shohim me dramatizëm, i kemi marrë 4 pikë Norvegjisë, çka nuk është pak. Në fillim e dinim që do bënim lojëra dinjitoze, sepse Kombëtarja do të rinovohej, por asnjë s’e priste që të kishim kaq shumë shpresa. Mirë do ishte të fitonim me Norvegjinë, por ishte një ndeshje e barabartë”. Në lidhje me vazhdimësinë e Kombëtares në këto eliminatore, Bogu nuk është optimist. “Ndeshjet më të mira ne si Kombëtare historikisht i kemi zhvilluar në Tiranë, prandaj më bën jo shumë optimist vazhdimësia ose e thënë ndryshe ëndrra jonë për kualifikim. Sidoqoftë, futbolli është i paparashikueshëm. Siç fituam në Norvegji, mund të përsërisim atë rezultat edhe në takimet e radhës”.
Në fund ish sulmuesi Partizanit, NK Zagreb, Veronës, Palermos dhe Sienas kthehet të flasë për të ardhmen e tij: “Nuk ka asgjë për momentin, kam qenë i përqendruar te Kombëtarja dhe i kam thënë menaxherit se është herët për të vendosur. Nga data 1 korrik besoj do të vendos. Tani dua një eksperiencë jashtë Italisë. Këtë e kam menduar me familjen. Nga ana tjetër, jam paksa i dyzuar, pasi u bë shumë vite që luaj në Serinë A dhe më duket pak e vështirë të lëviz. Çdo gjë varet nga ofertat, kështu që kurrë mos thuaj kurrë. Po shkoni 37 vjeç, do të vazhdoni në Kombëtare? Ky do të jetë edicioni i fundit. E shikoj si po ecin punët, kam qejf ta mbyll me këto ndeshje”.
0 Komente:
Post a Comment