
Ervin, personalisht keni duruar shumë për të qenë lojtar stabël në përfaqësuese?
Kam më shumë se 10 vite që jam pjesë e skuadrës. Kam qenë gjithnjë i duruar dhe kam pritur shanset e mia. Jam stërvitur me përkushtim dhe asnjëherë nuk kam bërë polemika.
Të qëndrosh aq kohë në stol, nuk të lë shije të mirë…
Në vendin tim luante Lala, Hasi dhe asokohe dhe Cana. I kisha idetë e qarta. Duhet të punoja gjithnjë e më shumë.
Por ju e fituat vendin edhe duke qenë këta lojtarë
Po, përpara 3-4 vitesh fillova të luaja rregullisht. Nuk i jam trembur konkurrencës dhe gjithnjë i kam bërë gjërat drejt. E rëndësishme është të jesh profesionist dhe të punosh shumë.
Sa ka ndryshuar Bulku nga aventurat jashtë shtetit?
Merr një përvojë të tipit tjetër që të ndryshon disi mentalitetin në përballjet ndërkombëtare. Luan në shtete të ndryshme e kultura të ndryshme. Pastaj, ai që është profesionist, kështu është gjithnjë. Unë gjithnjë kam punuar shumë edhe kur gjendesha në Shqipëri.
Në vitin e fundit keni luajtur në një nga skuadrat më të mëdha të Azisë
Po, luajta në një skuadër të rëndësishme në Sepahan. Kalova një vit shumë të mirë dhe luajtëm edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë. Vajta pak vonë në ekip, por fitova konkurrencën dhe luajta titullar.
Cila do të jetë e ardhmja juaj?
Shumë shpejt do ta zyrtarizoj atë.
Në edicionin që po luhet keni ndryshuar shumë partnerë në mesfushë. Si jeni ndjerë?
Futbolli është një lojë më e thjeshtë sesa e bëjnë njerëzit. Nëse luan mirë, luan me këdo. Patjetër që do pak kohë të ambientohesh e më shumë kohë të perfeksionohesh. Por ne luajmë 6-7 herë në vit bashkë dhe duhet që në kohë rekord të rekuperojmë në këtë drejtim.
Me kë jeni ndjerë më mirë?
Nuk është në stilin tim të bëj krahasime, apo të shfaq preferenca.
Si ndihet Bulku me shiritin në krah?
Jemi të gjithë kapitenë dhe ushtarë njëkohësisht. Nëse nuk e trajtojmë veten në këtë sens atëherë kemi shumë gjasa që mos t’i fitojmë ndeshjet.
Thoni një sekret si kapiten. Si ndodh që ka kaq shumë largime, rikthime, zgjedhje të para, dëmtime apo zgjedhje formale dhe polemika nuk ka?
Besoj se për këtë, meritë ka trajneri. Kam luajtur në shumë vende. Stërvitjet dhe skemat janë po ato. Trajner i aftë është ai që menaxhon grupin dhe situatat. Nuk është e thjeshtë të mbash të karikuar në harkun e disa muajve më shumë se 30 lojtarë.
Në të shkuarën krijoheshin gjithnjë polemika
Po, dhe unë kam qenë dëshmitar. Më kanë parë sytë shumë. Ndoshta-ndoshta lojtarët sot i pranojnë vendimet më lehtë. Kështu ndodh në Botë. Nuk di të them nëse janë bërë më të zgjuar apo më profesionistë, thjesht kanë kuptuar që polemika jo detyrimisht të aktivizon si titullar.
A besonit se do të merrnim 10 në 6 ndeshje?
Kjo mesatare nuk është arritur më parë dhe unë e kuptoj euforinë e ambientit. Mendoj se, përjashto 10 skuadra të mëdha në Europë nuk ka shumë diferenca. Detaji i bën diferencat.
Po ju, a besonit?
Mendoja se duhej të fitonim me Qipron dhe Islandën. Ishte gati një detyrim sepse realisht këta ishin më poshtë se ne kur u hodh shorti në vazo. Por shikoni si shkojnë gjërat! Islanda na mund këtu, ne mundim Norvegjinë në Oslo.
Ka shumë gjëra jologjike?
Ka diçka logjike. Doiferencat e lojtarëve nuk janë të mëdha dhe
çdo gjë mund të ndodhë.
Çfarë mund të ndodhë në 4 ndeshjet e mbetura?
Askush nuk mund të jape një përcaktim të qartë. Mua më bën optimist fakti që ne morëm një barazim, ndërkohë që kishim shumë mungesa në lojtarë jo në formën më të mirë e dëmtime. Në Slloveni do të kemi më shumë alternative dhe patjetër që ky është bonus për ne.
Njerëzit u larguan të hidhëruar nga stadiumi
Tifozi nuk gjykohet asnjëherë. Të nesërmen jam i bindur që kur e kanë menduar me qetësi, kanë pranuar se një barazim nuk është dhe aq keq. Në të fundit, Norvegjisë i kemi marrë 4 pikë. Kush nuk do të donte të fitonte? Por futbolli i tillë është. Unë jam i kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar gjërat deri tani. Nëse do të kemi të njëjtin ritëm deri në fund mund të bëjmë diçka të rëndësishme.
Ju personalisht jeni produkt i Tiranës, së bashku dhe Agollin. Tani luani në përfaqësuese por askush tjetër nuk del nga Tirana për në Kombëtare?
Është një temë e gjatë. Ka të bëjë më së shumti me kryeqytetin. Diçka nuk funksionon. Terrenet sot janë më të mira se kur isha unë i ri. Po ashtu dhe metodat e trajnimit. Ndoshta mungon filtri dhe njerëzit në kryeqytet në përgjithësi ndoshta nuk punojnë aq sa duhet.
Ju keni fituar konkurrencën në një Tiranë me emra të rëndësishëm
Po kështu edhe Ansi. Kjo na bëri më të fortë. Tirana është e vështirë për t’u fituar.
Edhe sot?
E kuptoj ku doni të dilni. Tirana sot nuk është në një gjendje për t’u admiruar.
Sa kohë në ditë mendon për Tiranën?
Ajo është shtëpia ime. Mendoj shumë për të. Unë jam bardheblu i lindur. Është familja ime. Unë kam pasur oferta nga Partizani dhe Flamurtari më parë me shuma shumë të mdha financiare dhe nuk kam pranuar. Tirana nuk është çështje parash.
Si e shihni të ardhmen bardheblu?
Duhet likuiditet, duhen para për të ndërtuar një skuadër dinjitoze. Mendoj se Bashkia ka zgjedhur tanimë drejtuesit e duhur. Unë, Alimehmetin e njoh mirë. Edhe të tjerët në bord e dinë si mund të jetë zgjidhja. Nëse palët rakordohen mirë dhe krijojnë hapësira financiare nuk është e vështirë që Tirana të rikthehet ajo e së paku 4 viteve më parë.
Kur do të ktheheni te Tirana?
Këtë e di Zoti. Në momentin që do të kthehem në Shqipëri, unë do të luaj për Tiranën. Qoftë
edhe gratis.
0 Komente:
Post a Comment