Wednesday, September 4, 2013

Kapiteni Cana: Të qëndrojmë me këmbë në tokë

Kombëtarja ShqiptareShqipëria po kalon një moment të shkëlqyer, duke parë rezultatet e arritura në 18 muajt e fundit, periudhë në të cilën në drejtimin e kuqezinjve ndodhet Xhani De Biazi, ku kanë arritur rezultate që nuk ishin menduar kurrë më parë. Objektivi ‘Brazil 2014’ është ende i mundshëm, dhe jo një utopi siç mund të mendohej.
Në prag janë dy ndeshje për të mos u humbur, në të gjithë kuptimin e fjalës, jo vetëm për tifozët, por edhe për lojtarët, që kanë shansin e madh për të shkruar historinë nëse arrijnë rezultate positive në transfertat kundër Sllovenisë dhe Islandës. Në konferencën e rradhës për shtyp, këtë herë është shfaqur kapiteni Lorik Cana i cili në krahun e tij ka pasur Ansi Agollin, të dy kanë premtuar impenjim maksimal dhe përkushtim për të arritur rezultate positive. Të gjithë duan të arrijnë historinë, por gjithashtu kërkojnë që të gjithë të qëndrrojnë me këmbë në tokë. “Jemi në një pozitë që nuk kemi qenë kurrë më parë, por akoma nuk kemi bërë historinë. Nuk dua të bëj premtime sepse nuk jam politikan. Me Slloveninë është një ndeshje e vështirë që i ka të treja rezultatet brenda dhe për këtë arsye kemi shpresa, por qëndrojmë edhe me këmbë në tokë- është shprehur kapiteni Lorik Cana- Duhet të pranoj se në këtë ndeshje ne nuk nisemi si favoritë, ashtu si edhe në shumë ndeshje të tjera. Por premtoj se do të japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv”. Mbrojtësi i Lacios, i cili rikthehet në një ndeshje eleminatore pas mungesës ndaj Norvegjisë në qershor në Qemal Stafa, nuk do të ketë në krah Mërgim Mavraj. Cana e kupton rëndësinë e kësaj mungese por shprehet i bindur se kushdo që do të luajë do të jetë në lartësinë e detyrës, pasi forca e kombëtares shqiptare është grupi. I qetë është shfaqur edhe mesfushori Ansi Agolli: “Sllovenia ka lojtarë shumë të mirë si edhe një trajner me shumë eksperiencë, ne do të mundohemi të mos pësojmë gol në radhë të parë, por edhe të kundërpërgjigjemi sepse nuk po shkojmë për shëtitje. Ata janë favoritë edhe se ne i kemi mundur në ndeshjen e parë të luajtur në Tiranë”.
Në fund të konferencës për shtyp kapiteni Lorik Cana nuk ka harruar të urojë edhe xhudisten Majlind Kelmendi për titullin kampion bote që ajo fitoi pak ditë më parë në garimin që zhvilloi në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

0 Komente:

Post a Comment