Monday, September 9, 2013

Rama: Gjithçka është e hapur në grup

Kombëtarja ShqiptareFutbollisti i Real Valladolid flet për humbjen me Slloveninë dhe për ndeshjen e së martës me Islandën.

Mesfushori sulmues Valdet Rama analizon humbjen e pësuar në Slloveni. Ai mendon se skuadra, po të ushtronte pak më shumë presing gjatë pjesës së parë, mund të dilte me pikët e plota nga ajo përballje.

Lojtari, i cili aktivizohet në Spanjë, te Real Valadolid, komenton edhe takimin e së martës në Islandë dhe shpresat që ai ka për kualifikimin në Botërorin 2014.

“U munduam që të paktën të merrnim një barazim, por futbolli kështu e ka. Ndonjëherë nuk ke fat, edhe pse meriton të shënosh. I patëm rastet, por portieri Handanoviç bëri pritje vendimtare”, tha ai për Panorama Sport.

“Nëse shikon lojën gjatë pjesës së parë, përveç golit që shënoi, Sllovenia nuk bëri asgjë tjetër. Ne patëm shumë shanse për të shënuar, veçanërisht në pjesën e dytë, por ia që goli nuk erdhi. U futëm në fushë të mirëorganizuar, por mendoj se nuk bëmë aq presing sa duhej në pjesën e parë. Kjo na kushtoi, pasi edhe goli i Sllovenisë erdhi në një situatë të evitueshme. Pastaj, për 45 minutat e dyta nuk ke çfarë thua, ne bëmë gjithçka për të dalë te goli. Sigurisht, mënyra se si pësuam, ishte shokuese për ne. Nuk e besonim kurrë se do të merrnim atë gol”, tha mesfushori fillimisht.

Rama nuk nguron që të japë edhe “recetën” e një suksesi të mundshëm në këtë takim të radhës. Sipas tij, nëse kuqezinjtë do të luajnë kundër islandezëve si në pjesën e dytë me Slloveninë, mund t’ia dalin.

“Nuk patëm fat këtë herë, kështu që duhet të ecim me kokën lart për të parë përpara. Tashmë do të luajmë me Islandën dhe do të mundohemi të fitojmë me çdo kusht. Megjithatë, kemi 10 pikë në Grupin E dhe gjithçka është e hapur. Vërtet kemi shanse të mira, por duhet të besojmë se mund t’ia dalim, nuk duhet të dekurajohemi pas kësaj humbjeje. Për të fituar në Islandë, duhet të luajmë si në pjesën e dytë ndaj Sllovenisë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë jam i bindur se do të jemi ne ata që do të festojnë në këtë përballje realisht të rëndësishme për përfaqësuesen tonë”, tha Rama.

0 Komente:

Post a Comment