
Federata greke i ka dërguar para dy ditësh një letër konfidenciale UEFA-s, në të cilën kërkonte që të dinte nëse ishte e mundur që ta dënonte Kaçen për fanellën me stemën e UÇK-së. Por, reagimi i UEFA-s në këtë rast ka qenë i prerë: “Mos u merrni me lojtarin, pasi kjo gjë nuk është në kompetencën tuaj. Ai nuk ka bërë asnjë veprim gjatë një ndeshjeje në kampionatin grek që mund të irritonte tifozët apo të ofendonte shtetin”, thuhet pak a shumë në përgjigjen që i ka kthyer UEFA Federatës greke. Lajmi është publikuar nga “metrosport.gr”, ditën e djeshme. Kaçe, një prej talenteve më të spikatura të futbollit shqiptar, është kthyer në “mollë sherri” mes tifozërisë selanikase dhe grupimit politik me tendenca të theksuara nazifashiste “Agimi i Artë”. Anëtarë të kësaj partie, disa ditë më parë, e sulmuan futbollistin, pasi ai kishte postuar një foto në faqen e tij të internetit ku mbante veshur një bluzë me logon e UÇK-së.
Nuk ka munguar edhe ndërhyrja e trajnerit të kombëtares Xhani De Biasi për këtë çështje. Për të qetësuar situatën italiani i ka telefonuar presidentit të PAOK-ut, Zizis Vrizas, i cili për fat është edhe një ish-lojtar i tij, në kohën kur italiani drejtonte Torinon në 2005-2006. Sipas informacioneve, tekniku kuqezi i ka kërkuar kreut të PAOK-ut që ta lërë të qetë lojtarin, pasi gjithçka kishte ndodhur për shkak të një keqkuptimi dhe nuk ka fare lidhje me racizmin apo bindje nacionaliste të shfaqura te mesfushori i Kombëtares shqiptare. Kaçe, së bashku me Mavrajn, shihen si blerjet më të mira të De Biazit, që nga momenti kur ai mori drejtimin e Kombëtares në janar të 2012-s. Italiani kishte udhëtuar disa herë vetë drejt Selanikut për ta bindur korçarin që të pranonte ftesën e Shqipërisë, përkundrejt asaj të Greqisë.
0 Komente:
Post a Comment