Monday, October 14, 2013

Bogdani: “ Cikli im në Kombëtare ka përfunduar”

Kombëtarja ShqiptareKryegolashënuesi i Kombëtares shqiptare me 19 gola, Erjon Bogdani, e ka ndjekur derbin Partizani-Tirana nga shkallët e stadiumit dhe i ka pëlqyer atmosfera e krijuar nga tifozët. Sa i përket lojës, sipas tij, skuadrat bënë shumë gabime në fushë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bogdani flet edhe për iniciativën e tifozëve që ai të kthehet te Partizani. Sulmuesi e shikon si të vështirë rikthimin, gjë të cilën ia kanë kërkuar edhe drejtuesit. Partizani ia ka hapur dyert dhe çdo gjë varet nga vetë lojtari, i cili pohon se nuk e ka menduar një gjë të tillë, për vetë kohën e gjatë që ka kaluar në Itali dhe impenjimet që ka atje.
Erjon, të shtunën keni qenë në stadium dhe keni parë derbin Partizani-Tirana. Çfarë përshtypjesh ju la ai takim?Kisha kohë që nuk e shikoja derbin dhe realisht u ndjeva i emocionuar nga vetë atmosfera që mbizotëronte në “Qemal Stafa”. Ishte një ndeshje e fortë ku të dyja skuadrat e donin fitoren, megjithatë diferencën e bënin tifozëritë, të cilat ishin të organizuara dhe e elektrizuan atmosferën. Sa i takon nivelit të lojës, pati shumë gabime në qarkullimin dhe pasimin e topit. Të dy ekipet gabuan, ndonëse stafet e kishin përgatitur mirë derbin duke gjetur strategjitë e duhura. Në fund fitoi Partizani, i cili arriti të gëzonte tifozët e shumtë. Pak e kam ndjekur kampionatin shqiptar, por ajo për të cilën më vjen mirë është se Partizani i është rikthyer elitës. Nuk e ka luksin futbolli shqiptar që skuadra si Partizani dhe Dinamo të luajnë në kategoritë inferiore. Partizani, Dinamo, Tirana, Vllaznia, Flamurtari janë ekipe që i kanë dhënë tonin futbollit, prandaj ata duhet të jenë promotorët e zhvillimit të këtij sporti. Më vjen mirë edhe për atë që po jep Skënderbeu në këto sezonet e fundit, ku presidenca ka investuar. Kur ka investim, ka edhe rritje të cilësisë dhe shtim interesi.
Si mendoni, a ka ndikuar në këtë derbi fakti që te Partizani të gjithë futbollistët e përjetonin për herë të parë këtë sfidë në Superiore?
Nuk e dija këtë fakt. Por kam besimin e plotë se trajneri Hasan Lika i ka përgatitur mirë gjatë javës dhe do t’ua ketë shpjeguar edhe rëndësinë e këtij derbi historik. Trajneri Lika e kishte përgatitur mirë takimin dhe në fund arriti të marrë rezultatin.
Jo vetëm drejtuesit, por edhe tifozët kanë kontaktuar shpesh me skuadrën, duke i kërkuar me çdo kusht fitoren, sepse ky takim për ata vlen më shumë se titulli…
Tifozët kanë pasur të drejtë në kërkesën e tyre, sepse dihet se çfarë do të thotë derbi për tifozëritë e të dy kampeve. Më vjen mirë që tifozët ishin të mrekullueshëm. Nga eksperienca ime, kur luhet në praninë e një numri të lartë tifozësh, pa dyshim ke çfarë të shikosh e të shijosh në atë takim.
Keni ndonjë lojtar që mund ta veçoni nga kjo përballje?
Të dyja skuadrat më pëlqyen, sepse me mundësitë e tyre u përpoqën të jepnin më të mirën. Por më pëlqyen numrat 4 të dy ekipeve (Ertan Demiri i Partizanit dhe Gentjan Muça i Tiranës). Gjithashtu më pëlqeu edhe numri 13 i Tiranës (Erando Karabeci), që mora vesh se ka dalë nga Partizani, si dhe mbrojtësi i majtë i të kuqve (Feliks Udoh). Këta lojtarë sikur më ranë më shumë në sy në këtë derbi. 
Për sa i përket interesit, Partizani i ka fanatikët e tij, që e kanë ndjekur në çdo kategori, gjë e cila u transmetua edhe në derbin e fundit. Si e shikoni këtë fakt?

Edhe në kohën kur unë isha pjesë e Partizanit, tifozët kanë qenë në lartësinë e duhur. Në derbi pati një tifozëri të mrekullueshme. Ke qejf të shikosh apo të luash një ndeshje me tifozëri si ajo e derbit. Di që në vitet e fundit ka rënë numri i shikuesve në stadiumet shqiptare, por po pati interesim si në derbi, futbolli do të ecë përpara. Loja për tifozët luhet dhe ata janë katalizatori, përndryshe duket sikur luan një ndeshje kontrolli të mesjavës. Me këtë tifozëri, Partizani duhet të kthehet sa më shpejt në vendin që i takon.
Erjon, para disa kohësh pati një nismë të tifozëve të kuq që kërkonin rikthimin tuaj te Partizani dhe që të ishte ky ekipi ku ju t’i varnit këpucët në gozhdë. Cila është përgjigjja e Bogdanit ndaj tyre?
Tifozët i falënderoj shumë, sepse unë jam rritur tek ai ekip dhe gjithmonë e kam përmendur me krenari edhe në CV-në time që futbollin e kam nisur me moshat dhe me ekipin e parë të Partizanit. Realisht nuk kam qejf të rikthehem tani në Shqipëri, pasi nuk e kam menduar një gjë të tillë për vetë faktin se në Itali kam impenjimet e mia dhe familjen. Pra, nuk e kam menduar një rikthim në Shqipëri, gjithsesi ku i dihet, kurrë mos thuaj kurrë.
Keni pasur kontakt nga drejtuesit e Partizanit?Kontakte kam pasur, por gjithçka më është lënë mua në dorë. Pra, ata janë të gatshëm duke m’i lënë të hapura dyert. Të jemi realistë, në 13 vitet e fundit kam luajtur në Itali dhe do të ishte shumë e vështirë për mua që të kthehesha. Tani luhet për stimul dhe jo për emër. Gjithsesi, Partizani mbetet gjithmonë i paharruar për mua.
“Cikli im në Kombëtare ka përfunduar”
Kur Bogdani u largua nga kuqezinjtë, Kombëtarja ëndërronte “Brazil 2014″, por tani ka përfunduar në fund, mbase ka ndikuar edhe si rekordmen i golit. “Çdo futbollist ka ciklin e vet dhe kjo gjë vlen edhe për mua. Kur iku Lala dhe Skela, flitej vetëm për ata. Tani është radha ime, se këto janë ligjet e futbollit. Është radha e më të rinjve që po vijnë të japin maksimumin dhe eksperiencën e këtij sezoni ta përdorin për eliminatoret e radhës. Eliminatoret i nisëm mirë dhe me të drejtë kishte optimizëm, por në pjesën e fundit situata u përkeqësua. Më vjen keq për dy transfertat e fundit që vulosën fatin tonë. Në Slloveni duhej ta merrnim një pikë. Keqardhjen më të madhe e kam për takimin në Islandë. Një ndeshje e nisur mirë, por nuk arritëm ta mbajmë dhe në fund përmbysemi duke u mundur. Humbja me Zvicrën është e pranueshme, sepse dihen diferencat mes ekipeve në kualitete dhe eksperiencë. Të rinjtë duhet ta vlerësojnë shumë ndeshjen me Qipron dhe ta fitojnë atë. Një fitore me Qipron vlen në aspektin e pikëve, por edhe në eksperiencën e këtij brezi të ri futbollistësh që kanë ardhur te Kombëtarja”. Rinovimi i De Biazit “Në fakt, kjo nuk është pyetje për mua, sepse unë bëj vetëm detyrën e futbollistit dhe kjo është kompetencë e tjetërkujt, pra është një pyetje që u duhet bërë personave që merren me këtë çështje. Realisht kam besim te presidenti Duka që edhe këtë radhë do të bëjë zgjedhjen e duhur, pasi nuk ka gabuar në asnjë rast”. 

0 Komente:

Post a Comment