Kombetarja Shqiptare - Panvarsisht se do të ballafaqohet me kundërshtarë të fortë në eliminatoret për “Euro 2016″, portierit të Shqipërisë, Etrit Berisha, nuk i trembet syri. Prishtinasi nuk ka frikë as nga ylli i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, derisa thekson se me skuadrën e tij kuqezi do të mundohen ta “pushtojnë” Serbinë.Portieri i Lacios deklaroi dje për gazetën kosovare “Arena” se Shqipëria e tij në çdo ndeshje do të hyjë për fitore. “Është një grup i vështirë, por e mira e këtij grupi është se përbëhet vetëm prej pesë skuadrave. Kështu do ta kemi më të lehtë. Ne gjithmonë kemi pasur probleme me skuadra të vogla, kurse me ekipe të mëdha luajmë mirë”, u shpreh fillimisht Berisha. Më pas ai tha se Portugalia është skuadra më e fortë në grup. “Sa i përket ndeshjes ndaj Portugalisë së Ronaldos, nuk më duket asgjë interesante përballja me të. Mua dhe ekipit tim do të na interesojë vetëm fitorja”, theksoi portieri kuqezi, i cili mezi pret të zbarkojë në Beograd me kuqezinjtë për ta sfiduar Kombëtaren e Serbisë. Ai e ka ëndërruar veten të veshur kuqezi duke e sfiduar Serbinë. “Sa i përket Serbisë, normalisht që do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, por besoj edhe për të gjithë lojtarët e tjerë që i kemi në grup. Mendoj se është njëra ndër ndeshjet më të mira apo më domethënëse në karrierë. Kështu që do të mundohemi të japim gjithçka nga vetja që të arrijmë fitore”, deklaroi portieri kosovar që po shkëlqen në Serinë A me Lacion. Berisha shpreson që eliminatoret për “Euro 2016″ të jenë më të suksesshmet për Shqipërinë në historinë e saj, duke besuar kështu në kualifikimin e parë në një Europian.
Ai është i bindur se Shqipëria në çdo ndeshje do të hyjë në fushë për të fituar. “Sa i përket gjasave për kualifikim, nuk di çfarë të them. Por ne do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë. Nuk duhet ta mendojmë kualifikimin, por të mendojmë ndeshje pas ndeshje dhe në fund të shikojmë çka kemi fituar edhe a janë të mjaftueshme ato pikë për të marrë pjesë në Europianin e vitit 2016″, përfundoi portieri i Kombëtares shqiptare.
Categories:
0 Komente:
Post a Comment