
Mihajloviç - Sakaq, para dy ditësh, në një intervistë për mediat serbe, trajneri i Sampdorias, Sinisa Mihajloviç, ndër të tjera, tha: “Ndeshjet e futbollit kanë në vetvete edhe gjëra të këtij tipi”, duke u munduar që të justifikonte dhunën e pashembullt në Beograd. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i De Biazit: “Nuk jam aspak dakord me të. Futbolli duhet të jetë një gjë krejt tjetër, një moment feste. Kjo ndeshje, ashtu sikundër e kam thënë edhe pas shortit të kualifikimeve, nuk duhej të ishte luajtur fare. Shumë plagë të hapura në një kohë të shkurt (i referohet luftës së Kosovës) dhe ndeshja ishte parashikuar si e një rreziku të lartë, por si duket dikush (e ka fjalën për UEFAn) nuk ishte i përgjegjshëm që ta kuptonte këtë gjë”, thekson tekniku i Kombëtares shqiptare.
Tmerri - Më tej De Biazi ka risjellë në vëmendje momentet kur skuadra hyri në dhomat e zhveshjes dhe kur më pas u nxor nën kontrollet e pakuptimta të forcave të rendit. “Më e keqja ishte në fushën e lojës dhe në momentin kur do të hynin në dhomat e zhveshjes, pasi pësuam goditje e grushte nga tifozët, ndërkohë që policia nuk ndërhynte. Na u desh që të vraponim, të ndjekur nga tifozët, gjëra të tmerrshme! Më pas u mbyllëm në dhomat tona dhe nuk na ndodhi më asgjë, derisa na nxorën që aty dhe nisën të na kontrollonin, pasi kërkonin te ne telekomandën e dronit”, thotë De Biazi.
Agim Cana - Tekniku është pyetur edhe në lidhje me deklaratën e babait të Lorik Canës, Agimit, i cili i konsideroi serbët kafshë dhe fashistë. “Unë jam i zhgënjyer, shumë i zemëruar, e tërë bota ka parë diçka të pabesueshme. Serbët u sollën si racistë, kafshë, fashistë. Ajo që ndodhi në Beograd nuk është normale. Ne duhet të falënderojmë Perëndinë nëse nuk ka pasur viktima, teksa gjatë gjithë mbrëmjes serbët këndonin ‘vritni shqiptarët’”, tha Agim Cana. Sakaq, De Biazi nuk ka dashur ta komentojë këtë gjë, duke theksuar se ai merret vetëm me atë çka ndodh në fushë. “Agim Cana ka shprehur një ide të tijën, ndërsa unë merrem vetëm me atë që ndodh në fushë dhe kaq”.
Miqësorja - Në fund tekniku kuqezi ka folur edhe për miqësoren e luksit të 18 nëntorit ndaj Italisë në “Luixhi Ferrasir” të Xhenoas. “Do ta luajmë këtë miqësore, e cila me siguri që do jetë një festë e madhe, sepse shqiptarët e kanë pasur ëndërr të luajnë një herë kundër Italisë. Ma kanë kërkuar një gjë të tillë që në momentin e parë kur unë mora drejtimin e përfaqësueses shqiptare”, përfundon De Biazi.
Artikull nga: L.K.
0 Komente:
Post a Comment