Monday, March 9, 2015

Avdijaj rrëfen takimin me De Biasin

Kombëtarja Shqiptare - Quhet Donis Avdijaj dhe ka klauzolë prej 50 milionë euro, shumë që është më e madhe se e gjithë Kombëtares së Shqipërisë.

Betim Zeqiri
Donisi është anëtar i ekipit të madh gjerman Schalke 04, por së fundmi është huazuar në Austri te Sturm Graz për tu rritur edhe më shumë si lojtar.
Djaloshi i artë ka bërë famë të madhe në futbollin gjerman dhe evropian falë golave të shumtë që ka shënuar për grupmoshat e Schalke 04.
Të gjithë tifozët shqiptarë anë e mbanë botës e dëshirojnë në fanellën kuq e zi të Shqipërisë, dhe De Biasi mori rrugë për në Austri për ta takuar nga afër.
Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Avdijaj tregon bisedën me De Biasin dhe gjasat që ai ta veshë fanellën e Shqipërisë më 29 mars në takim me Armeninë.
“Mbrëmë pas lojës që zhvilluam kam pasur takim me trajnerin e Shqipërisë Gianni De Biasi. Më ka ardhur shumë mirë që ka marrë rrugë deri në Austri për t’u takuar me mua”, tha fillimisht Avdijaj për Telegrafin.
“Trajneri më ka treguar projektin e Shqipërisë dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë biseda që pata me të. I kemi bërë pyetje të ndryshme njëri-tjetrit për të ardhmen dhe ta shikojmë se si do të rrjedhin gjërat”.
18-vjeçari tregoi se dëshira e tij është për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë por jo gjithçka varet nga ai, pasi për këtë gjë duhet të reagojnë njerëzit kompetent për ta afruar atë.
“Unë jam shqiptar dhe po më dëgjon që flas rrjedhshëm gjuhen amtare. Dëshira ime është që të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë por jo gjithçka varet nga unë. Të shikojmë se çfarë do të ndodh”, vazhdoi Avdijaj i cili ka marrë ftesë edhe nga Kombëtarja e Gjermanisë U21 për dy ndeshjet e radhës.
Refuzoi Real Madridin, Chelsean e Liverpoolin
Donisi shkëlqeu me Schalken dhe kjo bëri që klubi gjerman t’i vë klauzolë prej 50 milionë euro për mos ta lënë të lirë të largohet në drejtim të skuadrave të mëdha.
E për shërbimet e tij interesim kishin shprehur edhe gjigantët evropian si Real Madrid, Chelsea e Liverpool, mirëpo djaloshi nuk deshi që të rrezikoj në karrierë.
“Kam pasur jashtëzakonisht shumë oferta për të vazhduar karrierën por kam vendosur për Sutrmin, pasi dua të rritem ende si lojtar. Më ka kërkuar edhe Real Madrid, Chelsea e Liverpool por nuk kam dashur të transferohem e vetëm të ushtroj me yje të mëdha dhe të pres gjithmonë një rast të vogël për të luajtur”.
“Unë dua të luaj sa më shumë dhe tani këtë mundësi e kam në Sturm. Jam i ri dhe do të bëjë përvojë para se të rikthehem në Schalke pasi aty është qëllimi im që të ndërtoj karrierë”, tha Avdijaj.
Talenti nga Istogu ka luajtur me Schalken që nga kategoritë e reja, ku fillimisht në ‘B-Junioren Bundesliga West’, shënoi 59 gola në 51 paraqitje, pastaj në ‘A-Junioren Bundesliga West’, shënoi 17 gola në 18 paraqitje, ndërsa Regionaliga West ai arriti të shënoj katër gola në 11 ndeshje. Përpos golave të shumtë Donisi ka qenë edhe një asistues mjaftë i zoti.
Shqipërija viteve të fundit ka vuajtur për një ‘bombardues’ të portave, ndërsa tani e ka në dorë, vetëm se duhet të dinë si ta shfrytëzojnë atë. 

0 Komente:

Post a Comment