Monday, June 13, 2016

Kombëtarja, agjenda e ditës pas ndeshjes

Kombetarja Shqiptare - Është zhvilluar seanca e parë stërvitore e skuadrës kombëtare në Perros Guirec, pas përfundimit të ndeshjes së parë mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Paraditja, ka qenë pushim për skuadrën e Gianni De Biasit. Ajo ka qëndruar e lirë, në hotel “L Agapa”, deri në orën 12.00 kur është zhvilluar edhe një mbledhje me ekipin. Ajo ka qenë një analizë, e cila ka patur për qëllim që të evidentonte në detaje, gjithçka që u pa në ndeshjen e djeshme kundër Zvicrës. Krahas anës teknike dhe taktike, ky takim kishte për qëllim edhe të mbante lart gjendjen psikologjike të skuadrës. Të gjithë kanë qenë të mendimit se: “Kjo skuadër, ka ende shumë për të dhënë dhe do të luftojë deri në fund, për të treguar vlerat e saj. Sigurisht kemi humbur një betejë por do të vazhdojmë të mos dorëzohemi , duke treguar vlerat tona”.
Vetëm pjesa e parë e stërvitjes që ka nisur në orën 18.00, është bërë në grup. Pastaj futbollistët që nuk janë aktivizuar në ndeshjen e djeshme, janë ndarë nga pjesa e tjetër e grupit. Ata kanë zhvilluar vrapim rreth fushës nën drejtimin e përgatitësit atletik. Ndërkohë, që futbollistët e tjerë, kanë zhvilluar ushtrime taktike, me topin. Skuadra që është aktvizuar dje, ka zhvilluar rreth një orë stërvitje dhe më pas është larguar drejt hotelit, ndërkohë që pjesa tjetër ka zhvilluar të plota 90 minuta.

0 Komente:

Post a Comment