Klubi nënkampion i Greqisë, PAOK, i bën ofertë mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Andi Lila.
Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat greke. Gazeta më e madhe sportive greke “Sport Day”, ndër të tjera shkruan: “Presidenti i klubit selanikas, Zisi Vrizasm, pëlqen shqiptarin e PAS Janinës, Andi Lila. Mbrojtësi mund të luajë në disa pozicione dhe PAOK-u është i interesuar për të zyrtarisht. Lila ka një kontratë me Janinën, e cila përfundon në verën e vitit 2014. Një sforco e PAOK-ut pritet të sjellë në Selanik lojtarin 27-vjecar”. Sipas shtypit grek, PAOK-u ofron 300 mijë euro për kartonin e shqiptarit dhe kjo i ka joshur së tepërmi drejtuesit e PAS Janinës.
Nëse kjo tratativë mbyllet me sukses, atëherë Lila do të bëhej futbollisti i dytë shqiptar që luan për klubin selanikas, teksa aktualisht pjesë e tij është talenti Egys Kace, i cili po luan si titullar prej një viti. Lila vjen pas një sezoni fantastik te Janina, ndërkohë që klubi që ka një buxhet modest ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Europës, për herë të parë në historinë e tij. Gjatë këtij kampionati Lila ka thyer edhe një “rekord”, pasi ka qenë një nga lojtarët më të ndëshkuar me kartonë të verdhë në Greqi.
Andi Lila ka pohuar se klubi i PAOK-ut ka shfaqur interesim konkret për të. “Po, është e vërtetë që janë të interesuar, pasi edhe klubi më ka vënë në dijeni. Unë nuk mund të flas se cfarë do të ndodhë në verë, pasi më parë duhet të arrihet marrëveshja në nivel klubesh. A do të më pëlqente të luaja PAOK-un? Sigurisht që po, sepse është një klub i madh, me tifozë të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha ka gjasa që të luajë në Champions. Gjithsesi, unë vazhdoj të jem lojtar i PAS Janinës dhe për aq kohë sa nuk ka një akord, jam i detyruar që të respektoj ngjyrat e fanellës që vesh,” transmeton Panorama.
0 Komente:
Post a Comment