Thursday, April 24, 2014

As Kosova dhe as Shqipëria; Januzaj zgjedh Belgjikën

Kombëtarja Shqiptare - Nuk është Kosova, as Shqipëria dhe as Anglia. Adnan Januzaj ka zgjedhur përfundimisht të luajë për Kombëtaren e Belgjikës. Lajmi është bërë i ditur nga mediat belge, të cilat i referohen një deklarate zyrtare të trajnerit të përfaqësueses së këtij vendi, Mark Vilmots. Në një mesazh të lëshuar dje nëpërmjet faqes së tij zyrtare në “Tëitter”, Vilmots ka saktësuar se Januzaj ka zgjedhur përfundimisht të luajë për vendin ku ka lindur. “Kam marrë tashmë konfirmimin dhe është zyrtare: Adnan Januzaj do të vihet në dispozicion të Kombëtares së Belgjikës për gjithë karrierën e tij futbollistike. Januzaj luan te Mançester Junajtid dhe është një nga të rinjtë më të talentuar në planet”, ka thënë Vilmots. Menjëherë sapo tekniku dha lajmin online, thuajse të gjitha mediat belge dhe jo vetëm i bënë jehonë faktit që më në fund talenti 19-vjeçar i Junajtid vendosi se për cilën përfaqësuese do të luante. Ai mund të zgjidhte mes Belgjikës ku ka lindur (lindi më 5 shkurt 1995 në Bruksel, ku jetonte familja e tij pasi u largua nga Istogu në Kosovë), Kosovës, që është vendi i origjinës, Shqipërisë, kombit të tij, Turqisë, duke qenë se gjyshërit nga babai kishin prejardhje nga Stambolli, Kroacisë, ku i ati para viteve ’90 ishte pajisur me dokumente, Serbisë, duke qenë se sërish i ati, Abedin Januzaj ka mbajtur nënshtetësi e pasaportë të ish-Jugosllavisë, si dhe Anglisë, ku luan prej tri vitesh. Por, edhe pse u josh shumë nga Kosova, Shqipëria, Anglia dhe Turqia, Januzaj ka zgjedhur Belgjikën, kjo natyrisht edhe për faktin se është rritur në këtë vend dhe kjo kombëtare është kualifikuar për në Botërorin e këtij viti.

De Biazi: Zgjedhje logjike, na ushqeu shpresa të kota
U komentua nga mediat e gjithë Europës thënia e pak muajve më parë të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, në lidhje me Adnan Januzajn. “Unë dhe drejtuesit e federatës kemi bërë të pamundurën për ta kontaktuar, por problem është babai i tij, i cili nuk kthen qoftë edhe një përgjigje normale. Për batutë, më kollaj më duket të lidhem me Papa Françeskun sesa me Abedin Januzajn. Nuk e di se çfarë do të bëhet, por në lojë janë futur tashmë edhe Turqia, Belgjika dhe Anglia. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt, ndaj nuk di të them nëse duhet të kemi shpresa se ai mund të luajë për ne apo jo”, pat deklaruar De Biasi. Dhe në fakt, tekniku ka pasur të drejtë, pasi konfirmimi erdhi ditën e djeshme teksa Januzaj zgjodhi Belgjikën. Sakaq, i pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë zgjedhje, De Biazi ka pohuar: “Zgjedhje logjike për atë, duke qenë se është lindur në atë vend. Të vjen keq për faktin se nuk ishte i qartë që në fillim. Ushqeu shpresa false ose ishte shumë i paqartë në atë çfarë donte. Gjithsesi, qëndron ende fakti që i ati nuk iu përgjigj qoftë edhe një mesazhi dhe ca më pak telefonatave. Dhe kjo e fundit nuk ka nevojë për asnjë koment”, ka pohuar De Biazi. Tekniku i pat shkruar edhe një letër babait të Adnan Januzajt, duke i kërkuar një takim, por ky i fundit nuk ktheu asnjë përgjigje. Sakaq, nuk duhet harruar se për të sjellë Januzajn te Shqipëria u investua edhe zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili deklaroi se kishte nisur “ofensivën” për ta bindur talentin shqiptar që të vishej kuqezi, por kjo nuk u realizua.



“Januzaj bëri zgjedhjen e zemrës”
Menaxheri i mesfushorit kosovar, Dirk De Vriese, thotë se talenti i Mancester UTD bëri zgjedhjen e zemrës, duke e preferuar Belgjikën para Kosovës, Shqipërisë dhe Anglisë. “Zgjedhja e Adnan Januzajt për Belgjikën ishte një zgjedhje me zemër. Belgjika është zgjedhja më logjike, pasi ai është lindur në Bruksel dhe është shkolluar atje”, – ka thënë Dirk De Vriese për ‘Sportza’. Ai ka shtuar se raporti i Janzuajt me Kosovën dhe Shqipërinë ka bërë që vendimi për t’iu bashkuar Belgjikës të jetë shumë i vështirë. Trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots, më 13 maj do ta bëjë zyrtar ekipin preliminar për Kampionatin Botëror, derisa ende nuk dihet nëse emri i 19-vjeçarit do të përfshihet në këtë listë. “Adnani nuk ka biseduar me trajnerin Wilmots. Kështu që kjo nuk ia garanton një vend në skuadër për Botërorin. Sidoqoftë, Wilmots është duke e ndjekur me kujdes zhvillimin e futbollistit”, – tha ai.
De Vriese ka thënë se prioritet i Januzajt është të jetë titullar te Mancester UTD dhe më pas të mendojë për gjërat e tjera.


Kosovarët urojnë Januzajn për zgjedhjen
Ndonëse po kritikohet pse nuk zgjodhi të paraqitej me Shqipërinë ose Kosovën, trajneri verdhekalktër, Albert Bunjaku, ka uruar Adnan Januzajn për vendimin e tij. Duke folur për “Express”, Bunjaku theksoi se për nga aspekti sportiv, Januzaj mori vendim të drejtë dhe të qëlluar. “Unë mund të flas vetëm në aspektin sportiv dhe mendoj se është vendim i pritur i tij. Ndoshta është vendimi më i mirë, kur merret parasysh se bëhet fjalë për një 18-vjeçar që është në një shpërthim të karrierës së tij në një klub mjaft të mirë”, – u shpreh Bunjaku.
Trajneri kosovar theksoi se me vendimin e së mërkurës, Januzaj ua ka mbyllur derën të gjitha kombëtareve të tjera të interesuara për të, duke lënë të hapur vetëm derën për Kosovën, pas pranimit në FIFA dhe UEFA. “Deri në këtë moment, kanë qenë 7-8 kombëtare që kanë qenë pas tij, duke ia bërë zgjidhjen të vështirë. Tani është vetëm një kombëtare, Belgjika, dhe në momentin e pranimit të Kosovës do të jenë dy shtete që ai mund të zgjedhë, – deklaroi Bunjaku. – Nga shtatë shtete, tani kemi vetëm dy. Rasti i Kosovës është pak më unik, pasi ne nuk e kemi ngut si të tjerët, ngase zgjedhja që e bën atë për Belgjikën heq prej sistemi të gjitha vendet e tjera të interesuara. Në anën tjetër, pas pranimit të Kosovës, Adnani e ka mundësinë për të zgjedhur edhe njëherë”, – sqaroi Bunjaku.
Belgjika ia shton vlerën Trajneri Bunjaku deklaroi se fakti se Januzaj do të luajë në Kupën e Botës në Brazil do të thotë shumë për reputacionin dhe përvojën që mund ta fitojë atje. “Pjesëmarrja e tij në Kampionat Botëror me një skuadër shumë të mirë dhe që besoj se do të jetë befasia e Botërorit, ia ngre atij vlerën, si nga spekti sportiv, ashtu edhe për nga përvoja. Kjo është një zgjedhje e mirë e tij”, – përfundoi Bunjaku.
Merr urimin e Ministrit Adnan Januzaj mori urimin e Ministrit të Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi zgjodhi Belgjikën para shteteve të tjera të interesuara për të. Gjithsesi, Krasniqi shpreson ta shohë një ditë Januzajn me fanellën e Kosovës. “Urime Adnan Januzajt dhe i dëshiroj suksese me Belgjikën në Kampionatin Botëror 2014. Shpresoj ta shoh duke luajtur për Kosovën një ditë”, – shkroi në ‘Twitter’, Krasniqi.


Hasi: Januzaj zgjedh mes Belgjikës dhe Kosovës
Besnik Hasi, që e ka njohur Januzajn qysh të vogël tek academia e Anderlehtit, kishte paralajmëruar se Adnan Januzaj do të zgjidhte mes Belgjikës dhe Kosovës. Lajmi bëhej i ditur nga mediat belge (“elfvoetbal.nl”), sipas të cilave nuk ka vend për garë mes Anglisë, Shqipërisë apo edhe shteteve të tjera. Kjo media i referohej një deklarate të ish-kapitenit të Shqipërisë, Besnik Hasi, aktualisht trajner i Anderlehtit në Belgjikë. “Kosovarët janë një popull krenar, kjo edhe për faktin se nuk kanë pasur lirinë që kanë pasur vendet e tjera të Europës. Janë njerëz të lidhur ngushtë me origjinën dhe me tokën e tyre, aq sa në Kosovë dy gjëra janë të shenjta: flamuri dhe familja. Sa i përket Januzajt, mendoj se ai do zgjedhë mes Belgjikës ku ka lindur dhe Kosovës, ku janë rrënjët e familjes së tij”, pati thënë Hasi. Ish-kapiteni kuqezi i pat hequr në një farë mënyre shpresat Shqipërisë për Januzajn edhe në një intervistë të para pak kohëve, dhënë “Supersport”, ku pat thënë se Januzaj duhej lënë i qetë që të zgjidhte vetë të ardhmen në lidhje me aktivizimin në një kombëtare.


Hodgson “largoi” Januzajn
Pas trajnerit të Kosovës, Albert Bunakut, atij të Shqipërisë, De Biazi, dhe të Belgjikës, Mark Vilmots, për Andnan Januzajn ka folur edhe trajneri i Anglisë, Roi Hodgson. Ai ka bërë të ditur para disa kohësh se nuk mund ta llogaritë talentin e Mancester UTD përderisa Federata Angleze e Futbollit (FA) të vendosë nëse do ta natyralizojnë apo jo futbollistin në fjalë. “As kam menduar për të deri më tani. Ajo çka mund të them për këtë temë është se kjo çështje është e bordit të FA. Për momentin, derisa ky bord të sqarojë se çfarë ka në mendje dhe cila do të jetë politika e tyre, unë mundem vetëm të qëndroj në pritje”, – pati thënë trajneri anglez për për “Mirror”.
Megjithatë, Hodgson bënte të ditur se Januzaj nuk kishte gjasa të luante me Anglinë për vitet e ardhshme, edhe nëse FA vendoste ta natyralizonte kosovarin. “Krejt çka duhet të kuptoni me Januzajn është se në cilëndo anë që Anglia do vendosë të shkojë, me rregullat që ekzistojnë për momentin nuk ka gjasa që Januzaj të luajë për Anglinë në vitet e ardhshme”, – kishte theksuar Hodgson.


 “Pse të luajë Januzaj për Anglinë kur është shqiptar?!”
Xhimi Grivs, një nga sulmuesit legjendarë anglezë, kampion bote në vitin 1966, ishte i bindur se Adnan Januzaj nuk duhet të lejohej të veshë fanellën e kombëtares së “Tre luanëve”. Ish-sulmuesi, i cili në karrierën e tij ka shënuar më shumë se 400 gola, ku 44 të tillë janë realizuar në 57 ndeshje me Anglinë, ishte kategorikisht kundër ndryshimit të nënshtetësisë, që sipas tij po e shëmton futbollin. “Më quani prapanik, të rrjedhur apo si të doni ju, por unë kam menduar gjithmonë se sportistët dhe gratë duhet të përfaqësojnë vetëm vendin e lindjes së tyre”, – shkruante ai në një opinion të publikuar në gazetën britanike “Sunday People”. “Nuk kam pasur asnjëherë probleme me ndonjë person që dëshiron të praktikojë sportin jashtë vendlindjes – unë vetë e bëra një gjë të tillë te Milani – por të luash për një vend sepse kushëriri yt i dytë e vizitoi një ditë, apo sepse ke jetuar aty për dy vite, për mua është krejtësisht e gabuar. E di që njerëzit do të më kujtojnë argumentin e Mo Farah (i lindur në Mozambik, 2 medalje ari në Londër 2012 duke përfaqësuar Britaninë e Madhe) dhe pranoj që ai ka çdo të drejtë të vrapojë për Britaninë. Ai erdhi në Angli kur ishte 8 vjeç dhe kaloi vitet e tij të formimit këtu. Ai e cilëson veten britanik. Por Kevin Pietersen (lojtar kriketi) lindi dhe u rrit në Afrikën e Jugut, dhe e vetmja arsye pse ai luan për Anglinë ishte ngaqë nuk kishte vend në kombëtaren e tyre, ndërsa në tonën po. E njëjta gjë është edhe me Adnan Januzajn. Ai është belg. Në rregull… belg, kosovar dhe shqiptar. Por ajo që unë di është se ai nuk është anglez dhe nuk duhet të lejohet asnjëherë të luajë për Anglinë. Kjo është absurde! Nëse kjo situatë lejohet të vazhdojë, apo përkeqësohet, sporti ndërkombëtar ka marrë fund. Xhorxh Best ishte aq krenar të luante për Irlandën e Veriut, sa nuk e shqetësonte fakti që do të humbiste futbollin ndërkombëtar, ashtu si Rajan Gigs që është ekuivalenti i tij uellsian”, – ishte komenti i Grivs.


Abedin Januzaj: Nuk negocioj me FSHF
Abedin Januzaj, babai i talentit të njohur Adnanit, kishte akuzuar krerët e FSHF-së se kanë dezinformuar opinionin publik dhe se për aq kohë sa të jenë këta punonjës në federatë, ai nuk do të pranonte asnjë negociatë. Në një intervistë dhënë për televizionin kosovar “KTV”, babai i Januzajt, njëherazi edhe menaxheri i tij, kishte thënë se nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar nga ana e FSHF-së. Ai pati thënë gjithashtu se federata kishte gënjyer kur kishte thënë se ka kontaktuar me lojtarin 8 muaj më parë. Ja intervista e tij e asaj kohe:
Ajo që më së shumti diskutohet në Kosovë e Shqipëri besoj e dini, angazhimi i tij në ndonjë kombëtare. Situata e tij është paksa e komplikuar, duke e ditur se ai ka shumë mundësi të zgjedhë. Cilën do të zgjedhë?
Do e publikoj në ditët e ardhshme. Kohët e fundit është folur shumë në mediat shqiptare se Adnani ka profil në “Facebook”. Adnan Januzaj nuk ka profil në “Facebook”, e as unë nuk merrem me të. Në “Facebook” po bëhet një fushatë “Adnan, thuaj po Shqipërisë”. Këtu dua ta sqaroj sepse është një temë më delikate. Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë… nuk do të them ofertë se ofertë është diçka tjetër, por nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit për Adnan Januzajn së paku të bisedojmë. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qartë, këtu është duke folur babai i tij. Dhe, menaxheri i tij njëkohësisht….Dhe menaxheri i tij në disa çështje që unë i kontrolloj. Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata se e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Kohët e fundit vëllezërit më thanë ka qenë një nënkryetar i FSHF-së që ka thënë se kemi biseduar me babanë e Adnan Januzajt, që është totalisht gënjeshtër. Para dy netësh më thanë se ishte bërë një emision në “Klan” dhe se duhet ta shikoja patjetër për të parë se çka u fol aty. Jo, Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë të refuzoj, pasi nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Mançester Junajtid ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, por ata nuk e kanë bërë as atë punë. Para dy ditësh klubi më tha se një zyrtar i Ministrisë së Shqipërisë kishte tentuar të fliste me Adnan Januzajn, çka është absurde dhe që nuk mund ta bëjnë jo ata, por askush nuk mund ta bëjë, pasi duhet të kalojë në bazë të instancave, njerëz të cilët kanë kompetenca mbi Adnanin, sepse Adnani nuk mund dhe nuk merret me këtë punë dhe kështu ia kanë mbyllur derën vetes. Madje, ka shkuar në emision presidenti apo kush është ai dhe tha “nëse e ndien flamurin le të luajë për Shqipërinë, nëse jo le të luajë për Serbinë”. Kjo nuk të lë mundësi që t’i japësh një rast ekipit nacional të Shqipërisë që ta inkuadrojë Adnan Januzajn.
Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar këtë situatë?
Po, ky është problemi, se ata ia kanë mbyllur vetes derën. Tek unë duhet të vijnë vetëm njerëz që janë të përgatitur profesionalisht dhe korrektë.
A do e pranonit zotin Duka. Ai është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Jo.
Pse?
Sepse kanë bërë disa dezinformata. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale.
Do të thotë se gjasat janë minimale që Adnani të luajë për Shqipërinë një ditë?Tani për tani nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë. Unë kam lindur në Kosovë, në Istog. Një deputet i Kosovës thotë se ekziston një dokument se Januzaj ka shkuar nga Kroacia. Unë nëpër Kroaci kaloj vetëm kur vij me pushime, sepse unë kam dalë nga Kosova në vitin ’90 drejt Belgjikës me pasaportë jugosllave në atë kohë dhe kështu që atje jam martuar, shoqen e kam shqiptare nga Istogu. Nuk e di se si qarkullojnë se shoqen e kam nga Kroacia. Ato janë gënjeshtra.
Shqipërisë përfundimisht nuk i thoni jo?
Nuk do t’ia mbyll derën asnjë kombëtareje, e posaçërisht ekipit shqiptar. Por, derën e kanë mbyllur vetë, sepse kanë bërë dezinformata të çmendura. Thonë që e kemi ftuar në moshën 13-vjeçare, çka është çmenduri. Për këtë arsye, njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Nuk kanë efekt tek unë. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush. Vetëm njerëzit, të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet, mund të vijnë të ulen të bisedojnë me mua.
Me Belgjikën si qëndron puna?
Për Belgjikën tani për tani nuk do të luajë. Do të përqendrohet totalisht për klub. Ka pasur disa tentativa të trajnerit të Belgjikës që ta marrë Januzajn, sidomos kundër Kroacisë.
Trajneri i Anglisë, Roi Hoxhson, ka thënë se dëshiron që Adnani të luajë për Anglinë?
Ka pasur disa zëra. Nuk ka thënë se do e marrë, por ka thënë se e përcjell dhe në qoftë se ka mundësi juridike do ta bëjë kërkesën që eventualisht të bëjë diçka për të. Por ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, edhe në drejtimin e Shqipërisë e Belgjikës. Jam i fokusuar për momentin me Mançester Junajtid.
Normalisht, shumica dëshirojnë që Adnani të luajë për Kosovën, për vendin e vet?
Po, sepse unë kam lindur aty. Mirëpo, situata politike tani për Kosovën është më delikate, sepse FIFA nuk e ka pranuar FFK-në. Por, këto janë çështje që duhet t’i shikojmë pak më vonë. Nuk përjashtohet që një ditë Adnani të bëhet edhe pjesë e kësaj kombëtareje.
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për mundësinë që Adnani mund të luajë për Turqinë e Serbinë?
Këto dy opsione janë të pamundura. Nuk e di se si njerëzit e shohin inkuadrimin e Adnanit te Serbia. Nuk ka kurrfarë mundësie. Dikush thotë se edhe Kroacia. Turqia e Serbia janë të përjashtuara si mundësi.
Çfarë do t’u thoni njerëzve që janë krenarë me Adnanin?
Unë e kam përshëndetur gjithë popullin shqiptar për përkrahjen dhe i falënderoj të gjithë, edhe Adnani i përshëndet. 90 për qind e popullsisë dëshiron ta dijë se a do të luajë, apo jo për Shqipërinë. Njerëzit profesionistë e kanë derën të hapur të flasin me mua, por me ata që dezinformojnë nuk do të flas.

0 Komente:

Post a Comment