Kombetarja Shqiptare - Sot është heroi i të gjithë shqiptarëve me atë që bëri dhe ka arritur të marrë edhe një përgëzim nga mbrojtësi i Realit të Madridit për atë që ka bërë. Bekim Balaj e ka nisur me një eurogol prezencën e tij në formacionin e parë të kombëtares. Jo vetëm kaq, por edhe një lojë mjaft cilësore e një bomberi të ‘vogël’ që po rritet shpejt dhe që premton shumë. Në përfundim të ndeshjes, Balaj nuk e ka fshehur entuziazmin për golin e shënuar dhe për rezultatin e marrë. “Është një ndjesi e mrekullueshme që ta nis me gol në kombëtare. Jo vetëm kaq, por jam shumë i lumtur që skuadra përfaqësuese e ka nisur me fitore aventurën e re të eliminatoreve”, është shprehur Balaj. Sulmuesi shkodran ka bërë një veprim spektakolar në atë goditje, ku nota e ekzekutimit meriton të jetë maksimale. Sipas tij, ka qenë një ndeshje që ka sjellë një rezultat të merituar dhe ajo që u arrit ishte falë asaj që u dha në fushën e lojës. “Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë dhe një rezultat që e kemi merituar. Jam shumë i lumtur që në fund morëm atë që kërkuam dhe që na lumturon të gjithëve”, është shprehur sulmuesi shkodran. Në momentin e shënimit të golit, Balaj ka marrë një përgëzim nga Pepe dhe gjithashtu një vlerësim mjaft të madh. “Gol shumë i bukur. Je një lojtar që mund të luash te Reali i Madridit, ishin fjalët që më tha Pepe në momentin e golit”, ka deklaruar Bala për fjalën që shkëmbeu me mbrojtësin e Realit. Sipas sulmuesit shkodran, ka qenë një ndeshje që mund t’i japë skuadrës një nisje mjaft të mirë në këto eliminatore dhe një nisje që vlen shumë për kuqezinjtë.
“Kemi marrë një rezultat mjaft të mirë që na shërben shumë dhe që me atë mund të jemi edhe më të motivuar në vijim. Tashmë është një tjetër ndeshje e vështirë që na pret dhe që duhet ta përgatisim si duhet. Skuadra ka bërë një punë të mirë dhe me trajnerin në krye kam besim se mund të marrim shumë gjatë këtij sezoni”, ka deklaruar Bekim Balaj. Sulmuesi ka bërë një dedikim special për golin e shënuar ndaj Portugalisë. “Golin ua dedikoj të gjithë shqiptarëve dhe Babait tim. Është një gol i mrekullueshëm dhe shumë i rëndësishëm për ne në ecurinë e këtyre eliminatoreve”, ka përfunduar deklaratën e tij Bekim Balaj në përfundim të ndeshjes së fituar falë golit të tij në Portugali. /aSport
Categories:
0 Komente:
Post a Comment