Monday, October 13, 2014

Serbët : Në futboll, borxhli ndaj Shqipërisë

Kombëtarja Shqiptare - Padyshim maksimumi që futbolli serb, më saktë nën petkun e Jugosllavisë ka arritur është vëndi i dytë në Euro 1968, finale të cilën e humbën 2-0 në ndeshje të përsëritur kundër Italisë. E megjithatë në rrugën e Jugosllavisë drejt finales, ka dhënë një ndihmë jo pak të madhe dhe Shqipëria, të cilën dy ditë përpara ndeshjes, mediat serbe vendosin ta kujtojnë me një artikull, i cili nis me fjalët “në ndryshim nga faktorët historikë dhe politike mes popullit serb dhe shqiptar, historia e futbollit nuk është aq e keqe për vëndin tonë”
Euro 1968 kishte organizim tjetër nga ai i sotmi. Kualifikueset ishin të ndara në tetë grupe, shtatë prej tyre me katër skuadra dhe një grup me tre skuadra. Vetëm vëndet e para kualifikoheshin, dhe më pas ato ndesheshin me njëra tjetrën për të nxjerrë katër skuadra finaliste, të cilat shkonin në fazën finale të kompeticionit. Pra siç kuptohet, faza finale niste menjëherë nga gjysëmfinalet.
Në atë vit, në grupin me tre skuadra qëlluan Gjermania perëndimore, Shqipëria dhe Jugosllavia. Në ndeshjen e parë Gjermania fitoi 6-0 me Shqipërinë, dhe më pas Jugosllavia mposhti 1-0 Gjermaninë. Në ndeshjet e mbetura Jugosllavia fitoi 0-2 në Tiranë dhe 4-0 në shtëpi me Shqipërinë, por u mposht 3-1 në Hamburg nga Gjermania. Pra Gjermania kalonte më tej me një fitore në fushën e Shqipërisë (kujtojmë që fitorja vlente 2 pikë dhe barazimi 1 pikë). Megjithatë, në atë 17 dhjetor historik të vitit 1967, Shqipëria mbante një barazim 0-0 me nënkampionët e botës, duke i dhënë Jugosllavëve biletën për më tej, të cilën ata e shfrytëzuan deri në finale.
Megjithatë, për ti shtuar diçka fjalisë hapëse të artikullit serb, edhe maksimumi i futbollit shqiptar lidhet ngushtë me futbollin serb. Trofeu i vetëm i fituar nga Shqipëria, Kupa ballkanike në vitin 1946, është fituar mbi kurrizin e Jugosllavisë.

0 Komente:

Post a Comment