Monday, March 25, 2013

Migjen Basha: Ëndërroja një gol në debutim


Ka realizuar një debutim ëndrrash me fanellën kuqezi Migjen Basha, duke qenë pjesë e një fitoreje të madhe të Shqipërisë në transfertën e Oslos. Një fitore që ka vlera të dyfishta duke parë që Norvegjia ishte një skuadër e renditur favorite në momentin e hedhjes së shortit.
Mesfushori talentuar i Torinos pranon se është i lumtur për triumfin, panvarsisht se mendon se paraqitjet e tij do të jenë gjithnjë në përmirësim në ndeshjet e ardhshme duke arritur të integrohet më mirë me grupin. “Jam shumë i kënaqur. Fituam një ndeshje të rëndësishme, ndërsa unë luaja për herë të parë. Norvegjia ka një skuadër të fortë, por ne i mundëm në fushën e tyre, e cila është një arritje e madhe”, është shprehur 26 vjecari, që ka luftuar shumë për të qënë pjesë e skuadrës së De Biazit. I pyetur për paraqitjen e tij, Basha është shprehur se dëshiron që të jetë gjithmonë në përmirësim. “Ky është vetëm fillimi im me Kombëtaren. Mendoj se me kalimin e kohës do luaj akoma më mirë. Do të jap maksimumin tim sa herë që të më jepet mundësia. Në fillim të ndeshjes ishte pak e vështirë se temperatura të ulëta, kundërshtari po ushtronte presing, por që ne i administruam me sukses. Në pjesën e dytë mendoj se luajtëm akoma më mirë dhe shënuam gol”.
Në fakt, ai shpërdoroi një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, kur gjuajti nga brenda zonës dhe topi kaloi afër me shtyllën e djathtë të portierit. “Nuk kisha kohë për të menduar. Ndalova topin dhe e gjuajta menjëherë. Për fat të keq nuk shkoi në portë. Do të ishte perfekte po të shënoja. Gjithsesi, fakti që nuk e dërgova topin në rrjetë nuk ndikoi në rezultat, pasi ne i morëm tri pikët. Kjo është më e rëndësishmja pa diskutim”, ka nënvizuar Migjen Basha.
Në fund ai është pyetur sesi ka mundësi që nuk po aktivizohet më si titullar te skuadra e Serisë A, ndërkohë që ishte i qëndrueshëm në formacion në fillim të sezonit, ai ka deklaruar: “Nuk e di, pasi nuk është në dorën time. E vendos trajneri. Në fakt, nuk kam ndonjë arsye, pasi unë jam stërvitur normalisht dhe jam në formë të mirë fizike…”.

0 Komente:

Post a Comment