Kombëtarja Shqiptare - Ndeshjet kundër Zvicrës dhe Qipros mund të jenë të fundit për Armend Dallkun në Kombëtaren e Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja kosovare “Arena”, e cila i referohet një deklarate të vetë lojtarit. Mbrojtësi kosovar po e mendon seriozisht largimin nga ekipi kuq e zi, me qëllim që të mund t’u lërë më shumë hapësira lojtarëve më të rinj. Gjithsesi, 30-vjeçari pohon se vendimin përfundimtar do ta marrë pas përfundimit të këtyre eliminatoreve. Mbrojtësi luan prej nëntë vitesh me Kombëtaren, por kohët e fundit, nisur edhe nga loja gjithnjë e në rënie, vendi i tij në skuadër është rrezikuar ndjeshëm. Madje, në ndeshjen ndaj Islandës, ai ishte një ndër lojtarët më të dobët në fushën e lojës.
Deklarata - “Pasi të përfundojë ky cikël, të gjithë do të ulemi për të analizuar ecurinë e skuadrës. Po ashtu, unë do të flas me kolegët, trajnerin dhe me krerët e federatës, prej të cilëve dua të mësoj se a u nevojitet ende kontributi im apo jo. Pas kësaj do të marr një vendim përfundimtar. Unë konsideroj se nuk ia vlen të udhëtoj nga Ukraina për të zhvilluar nga pesë apo dhjetë minuta lojë. Realisht kjo nuk është një gjë e mirë për mua, prandaj do të isha i gatshëm që të tërhiqesha, sepse tashmë jam 30-vjeçar, dhe t’i lija hapësirë ndonjë lojtari të ri e perspektivë”, pohoi Dallku. Megjithatë, shtylla e deritanishme e mbrojtjes kuqezi thotë se e ardhmja e tij do të dihet saktësisht pas eliminatoreve. “Nëse kolegët Lorik Cana, Etrit Berisha e gjithë të tjerët kanë nevojë për prezencën time, e po ashtu nëse kësi nevoje ka Kombëtarja, trajneri, tifozët, atëherë unë do të vazhdoj. Por, po e përsëris, kjo do të dihet pas eliminatoreve”, theksoi 30- vjeçari.
Karriera - Dallku preferon si zgjidhje përqendrimin te Vorskla Poltava, në të cilën pohon se do të qëndrojë deri në fund të karrierës si futbollist. “Ky është viti i nëntë i imi te Vorskla. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Jam i lumtur edhe sot, andaj dua ta ndihmoni sa më shumë këtë ekip, ku dua të qëndroj deri në fund të karrierës”. Më tej, ai bën edhe një vlerësim të Kombëtares. “Dy humbjet e fundit janë të dhimbshme, por unë jam i kënaqur me paraqitjet tona të deritanishme. Kemi shënuar shumë fitore, kemi luajtur shumë mirë, duke realizuar edhe shumë gola, por fatkeqësisht edhe kemi pranuar gola. Megjithatë, paraqitjet e deritanishme të skuadrës sonë kanë qenë të mira si asnjëherë më parë”, përfundon Dallku.
Friday, September 20, 2013
Dallku: Do të tërhiqem nga kombëtarja
Postuar më 10:36:00 AM nga Kombetarja Shqiptare
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 Komente:
Post a Comment