Friday, September 20, 2013

Familjarët e Januzaj: Adnani dëshiron Shqipërinë, FSHF s'na ka kontaktuar

Kombëtarja Shqiptare - Federata Shqiptare e Futbollit po çon dëm një mundësi për të pasur në skuadrën kombëtare një talent të madh si Adnan Januzaj, futbollist që luan me Manchester United në Premier League angleze. Në fakt sportisti ka pasaportë belge, pasi ka lindur në Belgjikë nga prindër shqiptarë. Për të janë vënë në garë Belgjika, Shqipëria dhe Turqia (ka nënë turke), ndërkohë që ende nuk ka një interesim nga kombëtarja angleze.
Ndoshta dhe vetë sportisti e pret një ofertë nga përfaqësuesja angleze por për momentin qëndrimi i tij zyrtar është se nuk ka ndërmend të merret me skuadrat kombëtare të interesuara por të fitojë një vend titullari te Manchesteri, ku trajneri David Moyes i ka dhënë sinjale pozitive për ardhmërinë. Por nisur dhe nga ftesat e shumta që talenti ka marrë në rrjetet sociale në internet, pothuajse nga më shumë se 30 mijë tifozë shqiptarë, është tunduar dhe në ambiente të klubit anglez është shprehur se e tundon ideja për të luajtur për Shqipërinë dhe se ai e do suksesin e Shqipërisë. Por vetëm kaq, pasi familjarët insistojnë që ai nuk ka marrë një vendim të prerë për këtë çështje. Ofertën belge e ka refuzuar kategorikisht në fillim dhe opsioni për të luajtur me Shqipërinë mbetet.
Familjarët kanë lënë mundësinë e hapur për të biseduar me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Ne e presim një ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit, por deri tani ajo ka munguar. Ne e duam Shqipërinë dhe Adnani e do përfaqësuesen shqiptare, por nuk di të them se kë do të zgjedhë në fund. Për momentin jemi në pritje të ofertave konkrete”, është shprehur xhaxhai i Adnanit, Nexhmedin Januzaj, një nga personat e dashur të talentit shqiptar.

0 Komente:

Post a Comment