Wednesday, October 2, 2013

Duka: Cana, kapiteni natyral i Kombëtares Shqiptare

Kombëtarja Shqiptare -  Armando Duka rrëfehet për kombëtaren, Xhani De Biazin dhe sezonin e ri. Në një rrëfim për emisionin “Airport Sport” të Andi Kapxhiut, numri një i FSHF-së, ka prekur çdo temë këtë fillim sezoni. Nga rinovimi i De Biazit e deri tek trukimet e ndeshjeve të kampionatit. Duka ka folur për gjithçka duke replikuar edhe me Gjikën për çështjen e pikëve të Disiplinës, por duke u shprehur se për Kombëtaren dhe kontratën e re të italianit FSHF ka bërë maksimumin.
Zoti Duka, ndeshjet e fundit ishin zhgënjyese. Prisnit pikë në këto dy ndeshje?
- Ishim në një atmosferë ndryshe para ndeshjeve. Dikush edhe në eufori por ne nuk ishim në eufori. E dinim që ishin ndeshje të vështira. E dinim që nuk ishte e lehtë për një skuadër si ne me kaq rezultate pozitive jashtë fushës që të merrte rezultat jashtë fushe. Megjithatë, meritonim pak më shumë nga fusha e lojës. Në Slloveni kemi humbur raste për të fituar jo një, por dy ndeshje futbolli. Gjithsesi jo gjithmonë fiton ai që luan mirë. Ndërsa në Islandë ishim në gjendje të papërgatitur psikologjikisht. Pas golit duhet të ishte kundërshtari dhe jo ne që ishim në avantazh që të humbisnim toruan. Skuadra hyri nën presionin e arritjes së objektivit dhe nuk e përballoi dot atë.
Matematika nuk është se e ka nxjerrë jashtë ekipin dhe ne kemi edhe dy ndeshje për të luajtur.
- Mund të flasim për një gabim në rreshtim nga ana e De Biazit?
- De Biazi, apo trajnerë si puna e De Biazit që drejtojnë kombëtare të vogla, janë me fat. Të drejtosh
Kombëtare si Italia duhet të përballesh me miliona opinionistë dhe opinione për këtë çështje. Në çdo rast pas ndeshjes të gjithë kanë mendimet e tyre dhe mund t’i thonë. Për këtë futbolli është i bukur. Por mund të them se nuk mund të parashikosh dhe të mendosh se si ta bënim ndryshe atë që gabuam. Nuk mendoj se ka qenë humbja në Slloveni në këtë ndeshje sepse u krijuan raste. Që mund të ketë gabime në lojë kjo mund të ndodhë, për më tepër që në Slloveni mendoj se nuk kishte probleme taktike. Nuk ka qenë defekt teknik humbja, por thjesht fakt.
- Në Islandë…
- Në Islandë nuk luajtëm keq 10 minutat e para, më pas edhe unë u ngarkova më shumë emocionalisht. Na u duk sikur e arritëm objektivin. Edhe lojtarët mendoj se e kanë bërë një gjë të tillë dhe e kanë ndjerë kështu si unë. Pas golit gjithçka ndryshoi dhe dolëm jashtë vetes. Këto janë ato diferenca që duhet të kalosh, për të qenë pretendent në grup. Për të qenë pretendent duhet të jesh i përgatitur edhe psikologjikisht. Është mëse normale dhe nuk mjaftojnë vetëm anët taktike.
- Çfarë ekipi keni parë në këtë fushatë kualifikuese?
- Ekipi ynë kombëtar, duke= qenë se deri para pak ditësh ishte pretendente për të qenë në Botëror ka ndryshime. Ekipi ka ndryshuar për mirë, për numrin e futbollistëve, kualiteteve që janë shtuar. Nuk është se ndihen shumë në këtë moment që flasim, por tani kemi goxha alternativa. Ka prurje të këtij edicioni që justifikojnë fanellën.
- Cili ishte objektivi një vend në grup, më shumë pikë apo… rinisje?
- Njerëzit nuk zëvendësohen. Lala-Skela nuk zëvendësohen paçka se mund të sjellësh kualitete të ndryshme. Ata futbollistë, kanë kontribuar pafund për Kombëtaren Shqiptare së bashku me Bushin, Duron dhe shumë të tjerë. Në vite shumë të vështira ata kanë qenë në ekip dhe kanë mbajtur lart ekipin kombëtar. Tani kuptohet. Edhe në jetë disa ikin e disa vijnë. Prurjet e reja janë ndryshe. Ata kanë një logjikë më ndryshe dhe kanë krijuar fizionominë e lojës. Atë që i kërkuam vetes dhe stafit shihet që të rinovonim stafin duke marrë maksimalen e rezultateve të mundshme. Nuk është se kemi menduar se do të ishim pretendentë, por donim sa më shumë pikë me numrin më të madh të lojtarëve. Them se është arritur kjo gjë.
- Maja e këtyre eliminatoreve?
- Fitorja në Norvegji. Nuk e kemi të lehtë që të fitojmë jashtë. Këtë e treguam edhe në ndeshjet e fundit dhe arritja e vendit të 37-të në FIFA.
- Jemi të parafundit?
Në një grup me 6 skuadra mund të dalim edhe të gjashtët. Kemi bërë hapa përpara dhe jo pas. Askush nuk e mendonte që skuadra jonë të sulmonte Slloveninë në fushën e vet, apo Norvegjinë. Që të arrish kualifikimin e ëndërruar duhet kohë dhe hapat duhen hedhur me kujdes. Mund të jemi në vend të pestë, katër apo edhe të dytët. Diferencat janë shumë të vogla sa mund të dalësh edhe i fundit.
- Të gjithë e menduam Botërorin, ose vendin e dytë. Ju e menduat ndonjëherë?
- Kam besuar shumë në “plejof”, jo në vendin e parë, sidomos nëse merrnim edhe rezultate të mira. Ka disa rezultate që ne
nuk i kemi merituar për atë që kemi dhënë në fushë. Nuk e meritonim të rriheshim me Islandën në Tiranë, nuk e kemi merituar të mundeshim në Slloveni, apo të barazonim me Norvegjinë në Tiranë. E kam besuar që do të ishim në “plejof” të vështirë dhe të pamundur.
- Çfarë prisni nga dy ndeshjet e fundit?
- Të fitojmë kundër Zvicrës në Tiranë dhe më pas të shohim për Qipron. Kemi bërë të pamundurën që ekipi të mos e ndjejë atë
që ndodhi në shtator dhe mos të degradohet. Ky është futbolli dhe nuk ke çfarë të bësh. Të fitojmë kundër Zvicrës në Tiranë sepse na duhet trepikëshi. Është ndeshje e veçantë sepse ata janë të parët dhe më të mirët, ne skuadra më e mirë pas tyre, paçka sa pikë kemi.
Duhet të bëjmë maksimumin dhe mos të mbingarkohemi. Nuk kemi përse të vazhdojmë më tej. Luajmë kundër Zvicrës dhe zviceranëve.
-Puna e De Biazit si ishte?
- Skuadra është rinovuar dhe ishim të 37-ët. Njerëz pa të meta nuk ka, siç kemi të gjithë, edhe De Biazi ka të vetat. Por puna e tij e mirë dhe ajo që ka treguar gjatë eliminatoreve na ka bërë që t’i ofrojmë atij dhe gjithë stafit, një rinovim për edicionin e ardhshëm.
- Pra, do të kemi rinovim
- Duhet të sqaroj. Ne i kemi propozuar De Biazit rinovimin me një ofertë ekonomike më të mirë. Duke e ditur dashurinë e njerëzve për kombëtaren, kemi propozuar shifra të dhimbshme që nuk mund t’i tejkalojmë. Futbolli është profesional. Ai është profesionist dhe nuk është nën presion. Ofertën ia kemi bërë që para dy ndeshjeve dhe jo pas dy ndeshjeve. Ne jemi të bindur që puna ka qenë shumë e mirë paçka se mund të jemi edhe në vend të parafundit. Kemi një ofertë që nuk e ndryshojmë dot.
Nëse dikush na sponsorizon… Duke e vlerësuar më shumë i ke vlerësuar punën. Mundësia jonë ishte 10 përqind më shumë nga
edicioni i kaluar. Është një shifër që nuk mund ta kalojmë edhe pse mund të duam dhe vlerësimin për punën e kemi më të madh. Ai duhet ta mirëkuptojë se kaq është mundësia jonë.
- Ne kemi pasur gjithmonë një skuadër stabël me një bosht, ndërsa De Biazi me shumë ndryshime
- Ndoshta ka qenë një mënyrë për të bërë skuadrën. Duke mos marrë rolin e një tekniku, një skuadër dhe një bosht sjell konsolidimin
e ekipit. Duke qenë se ka shumë prurje dhe rinovim të skuadrës, trajneri e ka pasur të domosdoshëm. Mund do të isha për më shumë stabilitet.
- Çështja e shiritit si është?
Jam surprizuar për këtë lajm. As nuk është diskutuar dhe menduar, dhe as është e rëndësishme
për ekipin dhe lojtarët nuk e mendojnë dhe nuk e kanë diskutuar. Loriku është kapiteni natyral i Kombëtares Shqiptare. Është kapiten sepse e meriton dhe e mban shiritin. Është kapiten për kontributin e tij, jo vetëm futbollistik. Vetë formati i tij është që të jetë kapiten. E them se nuk ekziston kjo çështje.
- Çfarë do t’i veçonit De Biazit?
- Përkushtimin maksimal dhe jo vetëm sepse është trajneri i ekipit. Organizimi i punës dhe i stafit është perfekt. Nuk është e
njëjta gjë me paraardhësit e tij. Ai staf për një stërvitje në orën 17:00 e nis punën që në tetë të mëngjesit.
- Ka objektiv trajneri për rinovimin?
- Për “Francë 2016” kualifikohen 24 skuadra. Dy të parat e çdo grupi dhe gjysma e të tretave. Të shohim se si do të jetë skema e Europianit. Shanset janë më shumë, skuadra është e mirë dhe objektivi i vetëm i skuadrës që duhet të ketë është kualifikimi për “Francë 2016”. Kjo varet edhe nga shorti, dhe është një objektiv që nuk cënon kontratën e De Biazit. Them se i kemi të gjitha skuadrën, kualitetet e kështu me radhë që ta synojmë kualifikimin.

Për Adnan Januzajn…
“Për Adnan Januzajn jo vetëm  që po bëjmë maksimumin, duke vënë në lëvizje çdo hallkë të Federatës dhe jo me ftesa publike, por edhe çdo njeri të mundshëm që mund të jetë afër tij. Edhe njerëz të rëndësishëm të futbollit dhe politikës janë futur që ta bindin djalin që të luajë për gjakun e tij dhe kombin e tij.
Nuk kemi kontakte të drejtpërdrejta. Është në një klub të madh dhe është i përqendruar te kjo skuadër.
E di që ka thënë “jo” për Belgjikën dhe kjo është pozitive”.

0 Komente:

Post a Comment